Partia Demokratike është në gjendjen më të mjerë që nga dita e themelimit të saj. Dorëheqja e Lulëzim Bashës nga posti i kryetarit ka sjell edhe një precedent të pa shënuar më parë .
Të dhënat monitoruese të Institutit të Studimeve Politike tregojnë se gjatë aktivitetit të saj 32 vjeçar janë së paku 3 raste të drejtimit të përkohshëm deri në një Kuvend Kombëtar me legjitimitet për zgjedhje me mandat të plotë.
Të dhëna të tilla vlejnë jo vetëm për të qartësuar praktikat historike në një prej dy partive të mëdha politike në Shqipëri, por mbi të gjitha për të dëshmuar hendekun e madh midis legjislacionit mbi partitë politike, përcaktimeve kushtetuese si dhe vetë mënyrës sesi partitë politike funksionojnë.
Rasti i parë 1991: Në dhjetor 1990 u krijua PD me një Komision Nismëtar në krye, drejtues i të cilit ishte Azem Hajdari. Më 14 shkurt 1991, pas debateve të ashpra në Komision dhe mbledhjes së aktivit kombëtar u dakordësua zgjedhja e Sali Berishës si kryetar i përkohshëm i Komisionit Drejtues. Vetëm në shtator 1991 do të zhvillohej Kuvendi i rregullt Kombëtar ku Berisha zgjidhej kryetar me mandat të plotë.
Rasti i dytë 1995: Pas shkarkimit të kryetarit Selami në konferencën e jashtëzakonshme më 5 mars 1995, drejtimi i PD iu besua ekipit tjetër drejtues në parti, sekretarit të Përgjithshëm Tritan Shehu dhe dy nënkryetarëve. Ky drejtim i përkohshëm zgjati deri në prill 1996, kur në Kuvendin Kombëtar Shehu konkurroi dhe u konfirmua kryetar me mandat të plotë
Rasti i tretë 1997: Një vit pas zgjedhjes kryetar dhe vetëm disa ditë pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të vitit 1997, Tritan Shehu dha dorëheqje, duka ia kaluar drejtimin e përkohshëm të PD-së një strukture ad-hoc me 27 – 29 anëtarë, të drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm Genc Pollo. Në shtator u mbajt Kuvendi Kombëtar i radhës ku Berisha u zgjodh kryetar me mandat të plotë.
Gjatë periudhave të ndryshme kohore ka pasur edhe momente të tjera kur vendi i kryetarit ka mbetur vakant dhe me status do të duhej që ushtrimi i funksionit ti kalonte Sekretarit të Përgjithshëm. I tillë është rasti i vitit 2013 kur Berisha dha dorëheqje, por ai formalisht e ushtroi funksionin e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, pavarësisht se këtë përgjegjësi duhej ta ushtronte Sekretari i Përgjithshëm Ridvan Bode. Edhe më 2017 dhe 2021 do të duhej që kryetari Basha, i cili zyrtarisht u tha se ngrinte funksionet e kryetarit në garën zgjedhore në parti, do të duhej të largohej nga selia për t’ia kaluar drejtimin real Sekretarit të Përgjithshëm dhe përmes tij, një prej zv/kryetarëve.
Së fundi, pas dorëheqjes së z. Basha me 21 mars 2022, funksionet e përkohshme të drejtimit duhej ti kalonin një prej zv/kryetarëve, por vetëm pas konfirmimit nga Këshilli Kombëtar. Caktimi i drejtuesit të përkohshëm u bë pa shqyrtim e miratim as formal në Këshill, – një praktikë tjetër eksperimentale në këtë parti, e ndryshme nga përcaktimi statusor, ashtu si më 2013 dhe 2017. Më 2022 situata është edhe më problematike për shkak të ekzistencës së dy fraksioneve në PD, një palë në linjën zyrtare dhe një palë tjetër jashtë saj, por me pretendimin se përfaqëson linjën zyrtare. Palët janë në proces gjyqësor, gjithsesi është ende e paqartë se cila prej tyre gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve të grupit parlamentar, ndërkohë është qartësisht e dukshme se asnjëra prej tyre nuk përfaqëson të gjithë anëtarësinë dhe strukturat përfaqësuese të kësaj partie.
Të dhënat u publikuan nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) i cili është duke monitoruar proceset e brendshme politike në partitë tona politike mbështetur nga NED (National Endoëment for Democracy), si dhe e ka kryer në vite monitorimin e studimin e demokracisë së brendshme në projekte të ndryshme mbështetur nga fondacioni Konrad Adenauer, fondacioni Friedrich Ebert, apo në kuadër të bashkëpunimeve me NDI, CoE, parlamentit europian, etj.
ISP do të vijojë monitorimin e zhvillimeve në PD, PS, LSI dhe partive të tjera relevante politike edhe gjatë viteve 2022-2025, monitorime që përfshijnë aktet e brendshme rregullatore, raportin me legjislacionin në fuqi, standardet e demokracisë së brendshme, dekriminalizimin dhe integritetin në partitë politike, si dhe nevojat për reformimin e legjislacionit mbi partitë politike.