Shqyrtimi i Statutit të Berishës ka ndezur luftën brenda Partisë Demokratike. Sot pritet të vendosë mbi fatin e Partisë Demorkatike, pasi Gjykata e Tiranës do të shqyrtojë nesër kërkesën e grupit të Sali Berishës për të regjistruar statutin e miratuar në Kuvendin e thirrur prej tij më 11 Dhjetor. Gjyqtari Agron Zhukri do ta shqyrtojë këtë kërkesë në orën 10.30. Ky mund të jetë një moment kyç për fatin e Partisë Demokratike, pasi nëse gjykata njeh statutin e Berishës, do të zhbëhet statuti i Lulzim Bashës dhe vendimet e marra në Kuvendin e mbledhur prej tij në datë 18 dhjetor të vitit të kaluar.
Por sa i takon kësaj çështje, dje ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, i cili ka paralajmëruar gjyqtarin që do të japë nesër vendimin për ndryshimet statuore të marra në kuvendin e 11 dhjetorit të mbajtur në stadium nga Sali Berisha e Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike. I ftuar në një studio televizive, Bardhi theksoi se data e seancës së nesërme gjyqësore, pra që pritet të mbahet, sot është caktuar në shkelje të ligjit, pa pasur ende gjykatësi dosjen në dorë. Ai shtoi se gjyqtari ka pasur një takim me një përfaqësues të ish-kryeministrit Berisha para se të caktonte datën për seancën dhe se këtë gjë e ka të dokumentuar. Vetë Bardhi nuk dha emra, por shtoi se e ka raportuar gjithçka në institucionet ligjzbatuese. Me tone të ashpra, Bardhi e quajti ‘kamikaz’ gjyqtarin dhe shtoi se nëse ai do të marrë nesër një vendim për njohjen e ndryshimeve statuore, e pret burgu. “I bëj thirrje gjykatës të mos i futet aventurave. Ka caktuar datë për seancë pas pasur dosje. Data për nesër është caktuar dje pa patur gjyqtari dosje mbi tavolinë. Është takuar me një përfaqësues të Berishës. E kam emrin, por nuk po e them për etikë të kolegut tim. Si mund të gjykosh pa pasur aktet dhe dosje, këtë do e shpjegojë gjyqtari. E kam të dokumentuar, me të gjitha. Nëse gjyqtari ka vendosur të hedhë veten në erë, është i lirë, i ka thënë burgut hapu. Një gjyqtar kamikaz”, deklaroi Bardhi ndër të tjera.
“Foltorja” i përgjigjet Bardhit
Por pas deklaratës së Bardhit, ka reaguar dje Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demorkatike. Përmes një deklarate, Komisioni i Rithemelimit i quan deklaratat e Bardhit si sulm kërcënues i pashembullt ndaj gjykatësit. Sipas Komisionit të Rithemelimit, Bardhi po kryen një vepër penale e do të përgjigjet para ligjit.