Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar pas deklaratës së Enkelejd Alibeajt. Ky i fundit u shpreh se do të delegoj ankimimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila regjistroi sot statutin e PD të dalë nga Kuvendi i 11 Dhjetorit.
Në një postim në rrjetet sociale, Manjani shkruan se e drejta e ankimit mbi një proçes i takon atyre që janë palë në të, jo gjithë dynjasë.
“Ndahet burri me gruan në gjykatë dhe ankimin e bën komshiu?!
Këtë po thua o Enkelejd?!
Pash zotin na kurse fyerjen, se profesionalisht e di fort mirë se kjo është spazëm.
E drejta e ankimit mbi një proçes i takon atyre që janë palë në të, jo gjithë dynjasë!
Nëse donin të ankoheshin, duhet të kërkonin proceduralisht të ishin persona të interesuar.
Por fjetën sa u shqepën deri më sot e tani thonë se do ankohen, nuk ka Kushtetutë as ligj që e mban këtë llogjikë!”-shkruan Manjani.