Nga sot Gjermani njeh patentat shqiptare. Vendimi ka hyrë në fuqi dhe nga sot e tutje konvertimi i patentave të Shqipërisë dhe të Kosovës në Gjermani do të bëhet pa provime shtesë. Këtë e miratoi sot në Berlin, Këshilli Federal i Gjermanisë, me kërkesë të qeverisë federale.
“Për fat të mirë ua hoqëm edhe këtë pengesë!”- tha Winfried Herrmann, ministri i transporteve të Landit Baden Württemberg, në cilësinë e tij si kryetar i Konferencës së Ministrave të Transportit, teksa po fliste për njohjen e patentave nga Shqipëria dhe Kosova, të premten në Bundesrat. Politikani i Gjelbër argumentoi, se shumë imigrantë nga Kosova punojnë në zanate që kanë nevojë për një patentë, si kopshtari, ndërtimtari, dhe ne nganjëherë ua vështirësojmë jetën më shumë se ç’duhet”. Fjalë, të cilat ai ia drejtoi kryesisht ambasadorit të Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti, i cili nuk e humbi rastin për të qenë vetë i pranishëm në tribunën e Këshillit Federal, kur u mor vendimi.
Parimi i vendbanimit të rregullt
Rregullorja mundëson njohjen e pothuajse të gjitha kategorive të patentave nga Kosova dhe Shqipërianë Gjermani. Rregullorja e re vlen vetëm për personat që kanë një vendbanim të rregullt në Gjermani dhe që e kanë bërë patentën përpara se të vinin këtu, i tha DW Matthias Borowski, zëdhënës i Ministrisë së Mobilitetit të Landit të Berlinit.
Kjo do të thotë, se kush ka ardhur pa patentë dhe e ka vendbanimin e rregullt në Gjermani, nuk mund të shkojë për pushime në Kosovë ose Shqipëri dhe të bëjë aty patentën. Ky fenomen, që në Gjermani njihet nën termin “turizëm patentash” është i ndaluar. “Patentat e marra gjatë pushimeve nuk do të njihen në Gjermani”, i tha Borowski Deutsche Welles.
Por çfarë do të thotë vendbanim i rregullt? Kjo përcaktohet nga koha e qëndrimit në një vend brenda një viti, nga i ashtuquajturi “rregulli i 185 ditëve”: “Sipas rregullit të 185 ditëve, vendi i banimit të rregullt është vendi ku banon së paku 185 ditë në vit.”
Shkurt. Nëse një migrant rezident në Gjermani dëshiron të bëjë patentën në Shqipëri ose Kosovë ai duhet t’u dëshmojë organeve gjermane se ka banuar së paku 185 ditë në vendin ku ka bërë patentën. “Dhe e rëndësishme është, që patenta të bëhet në atë qytet, ku ke qenë i regjistruar”, sqaron Borowski, raporton DW.