Dine/ Rebeli i kauzave për fëmijët flet për Priza.al

Franko Dine është 29 vjeçari që me pasionin dhe talentin e tij bën të mundur realizimin e veprave të artit për t‘u përgëzuar dhe vlerësuar. Prej rreth një viti ai punon në bashkinë e Tiranës, duke dekoruar kryeqytetin me nuancat e tij. Për shkak se mbishkrimet e tij shpesh portretizojnë anëtarët më të pafavorizuar të shoqërisë, ato konsiderohen gjithmonë të menduara. Për të, jo vetëm të rinjtë, por edhe të moshuarit në vështirësi kanë nevojë për ndihmë. Një nismë e dekorimit të rrugëve e organizuar nga Bashkia e Tiranës është një nga format më origjinale të artit të rrugës. Nëpërmjet “Ndërmarrjes së Dekorit, bashkia Tiranë”, autoriteti bashkiak ka qenë gjithmonë mbështetës. Pjesa më e madhe e këtyre punimeve ndodhen në Bllok, lagjen më cool të Tiranës. Në rrugën Myslym Shyri, një nga rrugët më të frekuentuara të qytetit dhe në Bulevardin Bajram Curri, që përshkon lumin Lana.

Kush është Franko Dine dhe pse pikërisht ky artist spikati në Shqipëri?

Franko Dine, ka lindur në qytetin e Vlorës. Ka kryer Liceut artistik në Vlorë, dhe më pas vazhdoi studimet e larta në Akademinë e arteve për pikturë, në degën grafiti të lirë. Franko, aktualisht punon me grafite në Tiranë, por jo vetëm pasi aktivitetin e tij e ka zgjeruar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, madje edhe përtej kësaj të fundit. Si artist, Franko tashmë ka lënë dhe do vazhdojë të lërë gjurmë në muret dhe fasadat publike të qyteteve tona.Artisti 29 vjeçar nga qyteti jugor i Shqipërisë, sot mbulon ndërtesat kyçe në kryeqytet, Tiranë, ku miliona njerëz e admirojnë. Artisti i rrugës ka investuar shumë në profesionin e tij, që sot ai të ketë sukses në një vend ku grafiti në mur mezi kuptohet si art dhe pothuajse asnjë traditë e tij nuk ekziston.

Ai sot është artisti i parë i rrugës i punësuar nga Bashkia e Tiranës dhe i lejuar zyrtarisht të pikturojë muret e qytetit, duke hapur një rrugë që praktika e njohur botërore e artit urban të lulëzojë edhe në Shqipëri. Ai me mund dhe instinkt e gjeti rrugën për të konsoliduar punimet e tij. Edhe pse një artist shumë i zoti në vizatim, ai vendosi të lërë letrën pas dhe më pas vizatimet e tij të para “murale“ i përqëndroi tek muret e shtëpisë së tij, vetëm kur ishte 16 vjeç. Vetëm pasi arriti ta konkretizonte punën që kishte kaluar përtej pasionit të tij, ai vendosi të ndiqte Akademinë e Arteve në Tiranë, ku mund të mësonte më shumë për “artin e rrugës“.

Megjithatë, për të përhapur artin e tij në një shkallë më të madhe, ai kishte nevojë për aleatë më të fuqishëm, duke e kthyer tashmë artisti i parë i rrugës i njohur pranë Bashkisë Tiranë, si i punësuar në sektorin e dekorimit.Vetëm kështu ai mundi të prezantonte tëk qytetarët artin e tij. Gjatë kësaj kohe ai ka qenë në gjendje të pikturojë disa nga veprat e tij më domethënëse si pjesë e planit të vetë bashkisë për ta bërë qytetin dikur të zymtë më tërheqës.Tashmë, që punimet e tij gjenden në rrugët kryesore të kryeqytetit, ai synon gjithashtu të bëhet frymëzim për të rinjtë, si një mënyrë për t’i shtyrë ata të ndjekin rrugën e tij, duke theksuar se pavarësisht suksesit të tij, Shqipëria mbetet një vend ku kultura e grafitit është ende në një fazë shumë të hershme.

Intervista e realizuar:

Si e nisi Franko, artin e rrugës?

Arti i rrugës ishte diçka që më ngjallte shumë dashuri. Kur pikturoja në telajo nuk kisha po të njëjtin emocion si në murr , dhe dalëngadalë fillova të gjeja veten aty.

Kur ka qenë puna jote e parë?

Puna e parë ka qenë pune eksperimentale në studion time, ku unë lashë mënjanë bojërat e telajos dhe fillova të praktikoja ato të murrit.

 Si një rrymë shumë e re, grafiti është një art që ka lidhje pothuajse me çdo fushë të jetës, lidhet me kulturën, popin, artin etj. A mund të na thoni diçka më tepër drejt këtij arti që kohët e fundit ka marrë një hov të madh?

Është e vërtetë, që kohët e fundit ky art ka ecur me ritme të shpejta, sepse dhe mënyra e jetesës ka ndryshuar, njerëzit duan të jenë më të lire dhe arti i rrugës është i lirë. Është pare si një rregullator urban, por mos të harrojmë dhe faktin që ky lloj arti ka lindur si një rebelim ndaj një kauze të përcaktuar.

Ky është një profesion që ti e ke të përditshëm apo diçka që e ke pasion?

Unë tashmë po bëj një kohë të gjatë që jam pjesë e istitucionit të dekorit të kryeqytetit, Tiranës, dhe tashmë më është kthyer në profesion. Sigurisht që e kam edhe pasion atë që unë bëj.

Sa i vështirë është për ty arti i rrugës, aq më tepër kur të duhet të punosh në lartësi të mëdha?

Vështirësitë janë pa fund, por edhe emocionet janë vërtet të mëdha.

Sa kohë të merr përafërsisht një pikturë?

Kjo varet në varësi të përmasës dhe kohës atmosferike, por në përgjithësi një javë.

Ku e gjen Franko, frymëzimin për të ideuar pikturat?

Problematikat sociale, shoqërore dhe shkatrimi i natyrës janë pika ime e dobët.

Në pothuajse shumicën e realizimeve të tua, në qendër ke fëmijet. Pse kjo zgjedhje?

Shumë pak veta ma kanë bërë këtë pyetje. Arsyeja që unë realizoj fëmijë në pikture, dhe i përshtas me një problematikë shoqërore, është fakti se këta fëmijë përfaqësojnë të ardhmen. Jana ata të cilët mund të vazhdojnë apo të ndalojnë problematikat shoqërore.

Sa e vështirë është për ty të punuarit në rrugë, dhe përballja me njerëz të ndryshëm. Si dhe kush ka qenë situata më e sikletshme qe ke kaluar, gjatë punës?

Është bukur kur punon në rrugë, kjo pasi kënaqësia nuk është e njëjtë me atë të studios. Edhe pse njerëzit reagojnë pak çuditshëm në fillim, por në fund kënaqen me atë që shohin. Situata më e çuditshme, e jetës time deri më tani ka qenë kur godisnin vinçin me gur.

A mund të tregosh edhe për ne, ku qëndron dallimi mes të berit art në rrugë dhe të personave që zhgaravisin ose bëjnë mbishkrime në rrugët e qytetit? A është edhe ky i fundit “street art”?

Unë për vete vazhdoj të dua ata artistë të cilët e kanë nisur me mesazhe problematike, për të vetmen se ky është thelbi i artit të rrugës. A ka sot artistë shumë të mirë apo që zhgaravisin mure? Normalisht që po. Por nuk mund të jap një përgjigje nëse është fundi i street art ose jo.

Si është reagimi i publikut, janë kurioz teksa të shohin që pikturon?

Po çuditshëm, kërkues, kërcënues në disa momente dhe në fund përfundojnë duke të qërasur me diçka.

A e ke menduar që artin tënd ta zhvillosh edhe përtej Shqipërisë?

Unë kam punuar jashtë dhe dua në fakt që këtë art ta zhvilloj, përkohësisht në Shqipëri, kjo për arsye se nuk jam fort i kënaqur jashtë saj.

Cilin prej punimeve do të veçoje, dhe që ty vërtet të ka bërë krenar që e ke të ekspozuar?

Shqiptari dhe Kosovari, një punë që nuk më ka bërë krenar vetëm mua por të gjithë.

A ndikojnë situatat e ndryshme që ndodhin në vend dhe me pas të kthehen në burim frymëzimi për punën tënde? A mund të na tregosh një rast, nëse ka ndodh?

Situata problematike ka pafund, por një rast ka qenë dhunimi i një gruaje dhe sa po merresha me këtë çështje, ndodh përdhunimi i një fëmije. Në ato momente nuk dija me cilën prej temave të trajtoja të parën.

Të ka ndodh që pikturat e tua të fshihen, të dëmtohen. Nëse po, cila prej piktuarave qe ti ke pas më për zemër nuk gjendet më?

Në Tiranë, unë kisha afro 50 punime, sot numërohen as 10 prej tyre.

Intervistoi: M.Kërçeli/ Priza.al

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *