Përfshirja e Agjencisë amerikane për luftën kundër drogës (DEA), në aksionet e fundit kundër trafikimit me lëndët narkotike në Maqedoninë e Veriut, është sinjal i qartë se organet vendore të ndjekjes penale dhe të policisë nuk janë në detyrën e duhur, thotë për Radion Evropa e Lirë, Lubomir Gjurçevski, ish-drejtor i Policisë maqedonase.
Të premten, më 9 prill, në aksin rrugor Prilep-Rosoman, në jugperëndim të shtetit, policia në bashkëpunim me agjencinë amerikane DEA, gjatë një kontrolli rutinë konfiskuan 200 kilogramë marihuanë, e cila në tregun e zi arrin vlerën prej afro një milion dollarësh.
Nga DEA nuk e kanë komentuar rrjedhën e hetimeve si dhe personat e përfshirë në këtë kontrabandë, por në një prononcim për agjencinë e lajmeve MIA, drejtuesit e DEA-s kanë theksuar përkushtimin për të ndihmuar institucionet në përballje me tregtinë me drogë.
“Do të vazhdojmë të mbështesim Maqedoninë e Veriut në detektimin, pengimin dhe likuidimin e organizatave që merren me tregtinë me drogë”, thuhet në njoftimin e Agjencisë amerikane për luftën kundër drogës.
Ish-drejtori i policisë, Lubomir Gjurçevski dyshon se në këtë operacion policia është lënë anash, veçanërisht pas reagimit të fortë të kryeprokurores së krimit të organizuar dhe korrupsionit, Vilma Ruskovska për dekonspirimin e një operacioni tjetër kundër bandave të drogës në një rajon të Shkupit.
“Përfshirja e kësaj agjencie amerikane është sinjal i qartë se gjërat këtu nuk janë duke shkuar mirë sa i përket luftës kundër drogës”, thotë Lubomir Gjurçevski, ish-drejtor i policisë.
Bashkim Selmani, njohës i çështjeve juridike, thotë për Radion Evropa e Lirë se mosefikasiteti i institucioneve është si pasojë e partive politike, të cilat sipas tij, përmes grupeve të ndryshme kanë menaxhuar qoftë me lëndët narkotike apo veprimet tjera të paligjshme.
“VMRO-ja (partia maqedonase në opozitë) ka bërë kriminalitetin me çështjen e marihuanës, siç e dimë nëpërmjet spitaleve ndërsa LSDM-ja (partia maqedonase në pushtet) ka avancuar çështjen e marihuanës. Tani ndërhyrja e DEA-s është një simbolikë apo një dëshmi se këto dy parti sikur edhe shteti janë në rrugë të gabuar sepse ne kemi kriminalitet institucional dhe këtu është problem, ndërsa ndërhyrja e DEA-s është me tepër si paralajmërim se sa për të shpëtuar këtë vend”, thotë Selmani.
Në një tjetër operacion të zhvilluar paraprakisht në disa zona të Shkupit, u ngritën shqetësimet për dekonspirimin e tij. Policia kishte konfiskuar 80 mijë euro, 300 mijë denarë dhe 600-700 gramë heroinë, por nuk arriti të kapte drejtuesit kryesorë të grupit të trafikantëve. Operacioni kishte zgjatur gati dy vjet, bazuar në deklaratat e prokurores Vilma Ruskoska, e cila doli edhe me dyshimet se në mesin e grupit kishte edhe pjesëtarë të policisë që kishin vënë në dijeni krerët e grupit kriminal me operacionin policor.
“Kur dështoi ky operacion, për dikë u bë e qartë se afërsia e politikanëve në pushtet me grupet kriminale, veçanërisht në fushën e krimit të organizuar, është në një nivel të tillë që madje kërcënon sistemin e sigurisë”, thotë Gjurçeski, i cili dyshimet mbi punën e policisë i ndërlidh edhe me arrestimin e një kryeshefi të policisë në qytetin e Prilepit, i përfshirë në grupet e drogës, përkatësisht në operacionin e fundit ku u sekuestruan 200 kilogramë marihuanë./ REL