Luis van Gal është i kënaqur me paraqitjen e kombëtares holandeze ndaj Danimarkës. “Tulipanët” e tij fituan 4-2 të shtunën. Trajneri i kombëtares praktikoi sistemin e ri 3-4-1-2 dhe pa që taktikat e tij funksionuan mirë.
“Kemi luajtur shumë mirë, veçanërisht në pjesën e parë”, tha Van Gal. “Ne patëm gjashtë raste të mira dhe shfrytëzuam tre prej tyre. Danimarka nuk pati më shumë se gjysmë shansi dhe na ndëshkoi menjëherë. Nuk duhet të ushtrosh shumë presion kundër një ekipi të tillë. Ne donim t’i joshnim ata dhe pastaj të gjenim hapësirën pas mbrojtjes”. Pas përfundimit të pjesës së parë, patën më shumë probleme, kryesisht pas golit të Eriksenit.
“Ai luajti më shumë si një mesfushor. Si rezultat, De Ligt bëri një hap përpara shumë shpesh. Në fakt, mesfusha jonë duhet ta kishte zgjidhur atë situatë më mirë”.
E ARDHMJA – “Van Dajk më tha sinqerisht se preferonte të luante me skemën 4-3-3, por kjo nuk ka rëndësi. Kemi pasur shumë momente të mira, por ka edhe pika për përmirësim. Është një punë në progres. Çdo sistem i ri loje ka nevojë për kohën e tij”.
NDRYSHIMET – “Të martën kundërshtare do të kemi Gjermaninë. Do të ketë disa ndryshime në formacion. Kjo sepse disa lojtarë kanë luajtur pak minuta në klubet e tyre. Pastaj është e vështirë të luash dy ndeshje në tri ditë, veçanërisht kur ka kaq shumë intensitet në një duel si ky. Gjermania është një kundërshtar i fortë dhe përballjet me ta do të thonë shumë për tifozët pasi rivaliteti është i madh edhe pse është vetëm një ndeshje miqësore. Do të jetë një ndeshje spektakolare, për këtë jam i sigurt”.
VAN DAJK – Por kapiteni i tij, Virxhil van Dajk, e vuri në diskutim skemën e re të Holandës dhe ylli i Liverpulit nuk u fsheh: “Deri më sot jemi stërvitur fort, me shumë taktikë dhe analiza. Ka gjëra pozitive, por edhe për t’u përmirësuar. Ne duhet ta analizojmë këtë. Sigurisht që po luajmë me një sistem të ri, kërkohen gjëra të reja nga lojtarët, por mendoj se treguam gjëra pozitive. A më pëlqen sistemi? Sinqerisht unë jam ende në favor të 4-3-3, por nuk jam trajneri i kombëtares dhe ai ka një mendim shumë të fortë për këtë”.
Megjithatë, Holanda mbetet e pamposhtur me Van Galin në stol, që kur ai mori drejtimin e skuadrës pas Europianit në verën e shkuar. Me të në stol, “Tulipanët” kanë fituar 6 nga 8 ndeshje, por kanë mundur emra si Mali i Zi, Turqia, Letonia, Gjibraltari, Norvegjia dhe Danimarka.
Testin e parë të vërtetë ai do ta ketë të martën në Amsterdam ku vjen Gjermania. Në qershor nis Liga e Kombeve, ku Holanda është në grup me Belgjikën, Uellsin dhe Poloninë.