Kosova, vendi me pagën më të ulët në Evropë

Paga minimale në Kosovë mbetet e pandryshuar që nga viti 2011, vlera e kësaj page është 170 euro, sipas Agjensisë Evropiane të Statistikave është më e ulëta në Evropë.

Këshilli Ekonomik Social i Kosovës, sipas Ligjit të punës, propozon vlerën e pagës minimale në fund të çdo viti kalendarik, e cila më pas kalon për miratim te Qeveria. Ai ka bërë përpjekje për rritjen e saj, por pa sukses.

“Ne nuk kemi votuar as për, as kundër. Këshilli Ekonomik Social mblidhet një herë në muaj; do të takohemi përsëri dhe do të diskutojmë përsëri rritjen e pagës minimale”, thotë Hykolli, i cili është edhe kryesues i Këshillit Ekonomik Social.

Në të kaluarën, nga sindikata e tij është thënë se paga minimale duhet të jetë jo më pak se 300 euro.

Sa kushton shporta mujore e konsumatorit?

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se në bazë të një analize të bërë, shporta mujore e një familjeje katëranëtarëshe në Kosovë, kap vlerën prej 470 eurosh.

Sipas tij, propozimet për pagën minimale janë të papranueshme.

“Pagesa e energjisë, shërbimet komunale, transporti, ushqimi e gjërat tjera bazike – të gjitha këto, duke nxjerrë minimalen e shpenzimeve jetësore, kushtojnë 470 euro. Këtu janë llogaritur vetëm gjërat elementare”, thotë Azemi, organizata e të cilit nuk është pjesë e Këshillit Ekonomik Social.

Kosova nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i të punësuarve që marrin pagë minimale, por besohet se ajo u takon më së shumti të punësuarve në sektorin privat.

Sektori privat në Kosovë llogaritet si punëdhënësi më i madh: me mbi 220 mijë punëtorë.

Sipas Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, në pagën minimale përfshihen punëtorët në sektorin e pastrimit, shërbyesit shtëpiakë, punëtorët e sigurimeve private e të tjerë.

Paga mesatare bruto në Kosovë është rreth 460 euro.

Në sektorin publik, paga mesatare bruto është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 380 euro.

Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar qysh në vitin 2011.

Këshilli Ekonomik Social ka propozuar në vitin 2018 që paga minimale të jetë 250 euro, por propozimi nuk ka shkuar tutje.

Në bazë të Nenit 86 të Ligjit të punës, faktori kryesor që duhet të merret parasysh gjatë përcaktimit të pagës minimale, është kostoja e shpenzimeve jetësore, pastaj përqindja e shkallës së papunësisë, gjendja e përgjithshme në tregun e punës dhe shkalla e konkurrencës dhe produktivitetit në vend.

“Nëse të gjitha këto kritere merren për bazë, nuk do të gabonte askush në përcaktimin e pagës minimale”, thotë Hykolli.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *