Një grua për herë të parë në krye të shtetit? Përgjigjet Damian Gjiknuri

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Giknuri deklaron se Presidenti i ri do të duhet të jetë një figurë që qëndron mbi palët. Në një intervistë për mediat, Gjiknuri nënvizon se kandidatura për President nuk duhet të ketë ambicie politike dha ta përdorë zyrën e Presidencës për interesat e tij politike sikurse ishte rasti i z. Meta.
Gjiknuri shprehet se Meta ka qenë një President i mirëfilltë politik, me axhendë politike në shërbim të opozitës dhe në shërbim të interesave të tij pas detyrës së Presidentit për t’u rikthyer në politikë.
Sekretari i Përgjithshëm thekson se edhe pse PS ka votat e nevojshme për ta zgjedhur Presidentin, ajo do të synojë një njeri që di të qëndrojë mbi palët pavarësisht se kush e ka propozuar dhe pavarësisht se në të kaluarën ka pasur apo jo qëndrim politik.
Z. Gjiknuri, Partia Socialiste ju ka mandatuar ju, kreun e Grupit Parlamentar Taulant Balla dhe Elisa Spiropalin si grup negociator përsa i përket arritjes së një konsensusi të mundshëm me grupet e tjera parlamentare, pra me opozitën, për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Ku do konsistojë qasja juaj dhe a keni vendosur data kur do zhvillohen takimet e para?
Së pari lidhur me datat, përsa i përket procedurave për fillimin e paraqitjes së kandidaturave do të përcaktohen nga Kryesia e Kuvendit, besoj ditët në vijim. Aty do të kemi një kalendar të plotë ku patjetër do të përfshihen edhe aspektet e konsultimit në kushtet e reja ku është opozita. Tashmë kemi një opozitë që ka probleme me riformatimin e saj, me flukset e ndryshme se kush përfaqëson kë!
Në këto kushte, ndryshe nga skema e konsultimit përmes partive, Partia Socialiste ka autorizuar tre drejtues të saj, anëtarë Kryesie, për të negociuar me grupet e ndryshme parlamentare, flukset e ndryshme në Parlament, gjithmonë me synimin e gjetjes së një kandidature më të përshtatshme për President Republike.
Unë e kam thënë edhe në një deklarim të mëparshëm se ne synojmë një President që di të qëndrojë mbi palët. Nuk ka njerëz apolitikë. është shumë e vështirë të gjesh njerëz në shoqërinë shqiptare që nuk kanë qasje politike, por e rëndësishme është të jetë një figurë e cila nuk ka interesa politike kur shkon në atë zyrë përtej ushtrimit të detyrës së Presidentit, që është një pozicion mbi palët. Ne këtë do të synojmë.
Për ne nuk kanë rëndësi e kaluara politike apo bindjet e majta apo të djathta të dikujt sesa karakteri i tij dhe sa do të dijë ai të ushtrojë detyrën e Presidentit shumë më ndryshe seç bëri Presidenti i fundit që është akoma në detyrë.
Z. Gjiknuri, pavarësisht se zgjedhja e Presidentit është me pesë raunde, a ka vullnet Partia Socialiste që emri i ri që do ulet në zyrën e Kreut të Shtetit të jetë konsensual apo në rast se nuk do ketë dakordësi me opozitën, PS do ta zgjedhë vetëm me votat e saj në raundin e katërt dhe të pestë?
Natyrshëm, ne do të donim që të ishte një emër që të kishte sa më shumë mbështetje nga të gjithë grupimet parlamentare. Pikërisht dhe ky grup negociues i Partisë Socialiste do të synojë që emra të caktuar që mund të dalin apo të kenë mbështetjen e grupimeve të caktuara të deputetëve me firma apo qoftë edhe kandidatura paraprake që mundet të diskutohen mes interlokutorëve të ndryshëm në Kuvend, do kemi mundësi që të evidentojmë kandidaturën që mund të jetë më e përshtatshme.
Nëse do të ketë vullnet politik edhe nga pjesëmarrësit. Natyrshëm që Partia Socialiste do të donte që të kishte një President me sa më shumë mbështetje, por formula kushtetuese është e tillë dhe në çdo rast eviton çdo lloj krize. Ajo që dikur ishte problem tashmë zgjidhet me 71 vota. Partia Socialiste ka detyrimin Kushtetues si mazhorancë që t’i japë vendit një president.
Edhe sikur Presidenti të zgjidhet me 71 vota, unë e them me bindje se synimi jonë nuk është thjesht të çojmë një zgjatim të Partisë Socialiste në zyrën e Presidentit. Përkundrazi duam një njeri që di të qëndrojë mbi palët pavarësisht se kush e ka propozuar dhe pavarësisht se në të kaluarën ka pasur apo jo qëndrim politik.
E rëndësishme është që njeriu që do të shkojë aty të ketë profilin e duhur, karakterin e duhur, vullnetin e duhur por njëkohësisht të mos ketë ambicie ta përdorë zyrën e Presidencës për interesat e tij politike siç patëm rastin e z. Meta. Unë e kam thënë dhe e them prapë që ka qenë më shumë një President i mirëfilltë politik, një njeri me axhendë politike në shërbim të opozitës dhe në shërbim të interesave të tij pas detyrës së Presidentit për t’u rikthyer në politikë, siç tashmë të gjithë shqiptarët e kanë shumë të qartë. Ne do të donim të kundërtën e asaj.
Duke marrë shkas edhe nga z. Meta, a ka emra sot Partia Socialiste që mund të propozojë në tryezë në takimet konsultative me grupet e tjera parlamentare? Duke marrë shkas nga roli që Presidenti Meta ka luajtur, të paktën në përplasjet me mazhorancën, a po mendon Partia Socialiste që të ketë një emër që nuk është aktiv në politikë sot?
Është shumë shpejt për të folur për emra! Ne jemi duke marrë opinione nga të gjithë faktorët, natyrshëm mbi të gjitha nga faktorët e brendshëm politikë brenda së majtës, por përse jo edhe personalitete jashtë të majtës. Është një proces që sapo ka filluar. Nuk kam një emër që të them jemi gati, por jam i bindur që ne kur të hyjmë në procese negociuese do jemi me një listë të mirë kandidatësh që plotësojnë të gjitha këto kushte që unë thashë. Kryetari i shtetit duhet t’i demonstrojë ato në detyrë. Një njeri që di të ushtrojë detyrën në mënyrë të paanshme dhe të mos e kthejë zyrën e Presidencës në një laborator për interesat e tij politike në të ardhmen.
A mund të kemi një grua për herë të parë në krye të shtetit?
50% e popullsisë gra janë, kështu që propabiliteti është i lartë që një grua ta kemi në krye të shtetit. Nuk mendoj se në Shqipëri do ishte habi që një grua mund të ishte Presidente sepse gratë janë në shumë pozicione drejtuese të këtij vendi. Por nuk duhet të fokusohemi vetëm te fakti duhet të jetë grua apo jo. Për mua ka të bëjë personaliteti i njeriut qoftë grua apo burrë duhet të jetë mbi objektivat dhe pritshmëritë e shqiptarëve pas një eksperience jo të mirë me Presidencën e viteve të fundit që ka qenë, për mua, ekstremi politik i ushtrimit të detyrës nga një President.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *