Ndeshja me Gjeorgjinë nuk përfundoi me rezultatin që gjithë dëshironim dhe prisnim, edhe pse loja ishte e mirë duke krijuar një mori rastesh.
Trajneri Reja foli për Supersport pas ndeshjes duke treguar se çfarë shkoi mirë dhe çfarë nuk funksionoi.
“Është e vështirë të luash me këto skuadra, pasi nuk hapen, qëndrojnë pas si ekip dhe janë të fortë fizikisht. Nëse nuk shënon në 2-3 rastet që krijohen ndeshja bëhet më e vështirë. Nuk ishte agresiviteti i duhur, në fundjavë lojtarët kanë ndeshje me klubet e tyre, ata druhen disi në duelet për top.
Asllani? Në miqësore duhet t’i aktivizosh të gjithë lojtarët. Impenjimi dhe dëshira ishin të mëdha, krijuam disa raste. Jam i kënaqur me këto dy miqësore, Asllani është një lojtar me cilësi dhe të ardhme.
Ndeshjet zyrtare do t’i përgatis edhe unë më mirë, nuk kishim kohën e duhur për t’u përgatitur, vetëm dje erdhëm në Shqipëri, por më pëlqeu impenjimi i djemve.
Broja? Ai nuk ishte në 100%, kishte një problem në kavilje, folëm në pushim dhe më pas e zëvendësova. Në momentin që ndizet është e pamundur për ta ndalur, por është e vështirë të shprehë gjithë potencialet e tij në këto lloj ndeshjesh, sidomos edhe prej faktit që nuk ishte mirë fizikisht”, deklaroi Reja./Priza.al