Kryeministri Edi Rama në një takim me importues të produkteve të shportës deklaroi se mbledhjet e bordit për vendosjen e çmimeve do të bëhen publike. Në takim importuesit e miellit dhe vajit të lulediellit garantuan se pavarësisht çmimeve të larta të produkteve në tregjet e huaja, furnizimi në tregun e brendshëm nuk do të mungojë.
Administratori i kompanisë i fabrikës “Bloja” dhe miellit “Primo” Adi Haxhiymeri tha se nuk do të ketë probleme me furnizimin e miellit. Z. Haxhiymeri kërkoi që mbledhjet e bordit për produktet bazike të shportës të bëhen publike. “Kemi arritur të përballojmë tregun për të mos munguar furnizimet. Dje u shkarkua dhe një anije me grurë. Sot fillon importi me Serbinë me 22 kamionët e parë me grurë. Situata me furnizimet është normalizuar, ndërsa mbetet problem çmim. Është hera e parë që Shqipëria nuk importon miell, se çmimi në Shqipëri është më i liri në Ballkan. Nëse do të kishim çmimin më të lartë do të hynte mielli nga të katër anët. Kemi kërkesë të lartë nga shtetet për të eksportuar, pasi çmimi ynë është konkurrues. Përshëndesim instrumentin e qeverisë për dhënien e garancinë sovranë për kreditimin e furnizimeve për mallrat e shportës, pasi një anije e furnizuar me miell nga 1 mln dollarë kushton 3 mln dollarë. Kjo është e nevojshme për të krijuar gjendjen e qetësisë”.
Për kërkesën e importuesve për publikimin e vendimeve të bordit kryeministri Edi Rama tha se mbledhjet e bordit do të bëhen transparente, ku secili nga importuesit të shpjegojë strukturën e çmimit, me qëllim qetësimin e konsumatorit nga diziformimet. “Për shkak të detyrës mund ta them pa asnjë ndrojtje që Shqipëria ka një industri të miellit jo vetëm e çmimit më të lirë në rajon, por garante e cilësisë të eksportit. Hapja e kanalit me Serbinë nuk është varësi, siç është interpretuar, është thjesht hapja e një kanali që ka ekzistuar prej 20-30 vitesh, por ishte i mbyllur për shkak të asaj që bënë të gjitha shtetet”, pohoi Rama.
Për problematikën me furnizimet me vajin e lulediellit, administratori i kompanisë PDF që tregton vajin “Olim” Aredi Sado tha ofrimi i garancisë sovrane për kreditimin e furnizimeve të vajit të lulediellit do të ndihmojë në krijimin e rezerva të mëdha për këtë produkt. Sado theksoi se problematikat me çmimet do të vijojë, pasi tregut botëror i mungon 80% e farës të lulediellit që prodhohet nga Ukraina dhe Rusia. “Problematika e vajit do të vazhdojë dhe kjo vjen për shkak të çmimeve. Çmimet e vajit sot në Greqi janë 4,5 euro për litër. Kjo po ndodh në Itali, Francë, Gjermani dhe vende të tjera. Edhe sasitë e furnizimeve janë të limituara nga vendet europiane”, nënvizoi ai.
Për rritjen e çmimeve të produkteve të shportës kryeministri Rama tha se do të vazhdohet të mbështeten ata që kanë nevojë.
“Për 3 muaj rresht do të mbështeten gjysmë milion të popullatës. Do të mbështesim bujqësinë me naftën pa taksa. Për periudhën janar-shkurt 2022 janë 14% eksportet bujqësore më të larta se e njëjtat periudhë e 2021, sepse bujqësia është e ndarë më dysh. Ka një pjesë që nuk bën zhurmë dhe bën punë dhe është baza prodhuese. Kjo pjesë ka përmbysur shifrat në mënyrë spektakolare. Importet e prodhimeve bujqësore janë përgjysmuar dhe janë rritur eksportet. Kjo pjesë e bujqësisë funksionon me të gjithë problematikat e veta. Ndërsa bujqësia e individëve që rrijnë të vetëm në ngastrat e tyre dhe nuk krijojnë sinergji lëngon”, veçoi ai.
Burime të reja për furnizimin me naftë
Përveç shqetësimin të rritjes të lartë të çmimit të naftës në tregjet e huaja, kryeministri Edi Rama në takimin e zhvilluar me importuesit deklaroi se vijimi i luftës Rusi-Ukrainë po rrit rrezikun për mungesën e furnizimeve në treg me naftë. Kryeministri Edi Rama pohoi se po shihet mundësia për garantimin e furnizimeve me naftë nga Irani, pasi vendet e OPEC nuk po bien dakord për rritjen e prodhimit
“Problemi për të garantuar sasi është më i mprehtë, sesa problemi me çmimin. Po shohim për të bërë një transformim gjeopolitik, për të përfshirë në treg Iranin, pas 47 vitesh sanksionesh. Po bëjmë përpjekje serioze për të mbështetur furnizimin në rast mungese. Jemi në rrugë të mbarë për të pasur furnizimin. Nëse lufta vazhdon gjatë dhe nuk krijohen burime të reja, në pompat e karburantit mund të mos ketë naftë. Kjo është situatë krize dhe nuk mund të jetojmë në Shqipëri sikur nuk ka ndodhur gjë”./Monitor