Askush nuk i identifikon me emra të përveçëm të dyshuarit e familjes Fufi në Mamurras, tre prej të cilëve përfunduan në pranga për sulmin me shkopinj bejsbolli ndaj një polici të postës, i cili pak orë më herët kishte kontrolluar një lokal në pronësi të tyre për lojërat e fatit.
Burime të gazetares Anila Hoxha tregojnë se si vetë efektivi i prangosur tanimë, David Madani ka identifikuar njërin prej tyre në këtë grup ç’ka ka sjellë zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë. I gjendur vetëm dhe i veshur civil, mbasi kishte përfunduar shërbimin dhe po kthehej në banesën me qira, drejt policit David Madani u afruan me shpejtësi dy automjete.
“Njëri porsche cayenne me xhama të zinj dhe tjetri Audi Q5, prej andej zbritën 6 persona me shkopinj bejzbolli në duar dhe u drejtuan drejt meje”, rrëfen oficeri në dëshminë që TCH disponon eksklusivisht .
“Mes tyre njoha Mir Fufin për të siguruar mbrojtjen nxora armën e shërbimit nga brezi, e mbusha dhe qëllova në ajër dy herë duke ju thënë mos u afroni, mos bëni gabim të afroheni. Ata pavarësisht thirrjeve, të acaruar më goditën”,- shton oficeri i policisë.
Gjatë gjithë kohës që agresorët po e godisnin efektivin dhe që më pas rezultuan se ishin Nikoll, Rudolf dhe Gjon Fufi, sipas qëndrimit të tij, ai gjuajti tre herë të tjera në mënyrë të pavullnetshme dhe të pakontrolluar duke plagosur dy kolegët që gjendeshin me sherbim në afërsi të vendngjarjes si dhe njërin nga sulmuesit e identifikuar si Nikoll apo Mir Fufi. Dy policët e plagosur nga rikosheti janë Ilir Zeka dhe Flamur Lleja të cilët tregojnë se gjendeshin në distancë në çastet e përplasjes.
Pikërisht në dëshminë e tij polici i arrestuar për plagosje në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme tregon se si paraditen e ngjarjes kishte qenë i planizuar me shërbim turni i parë në stacionin e Mamurrasit.
“Rreth orës 9.30 me thirri shefi i stacionit i cili më tha se do shkojmë për kontroll . Së bashku me policin Ilir Zeka me mjetin shevrolet me mjetin policia 2118 u nisëm pas mjetit privat të shefit dhe u ndalëm në lokalin e Lek Fufit.
Pasi hymë në lokalin kafe bilardo kontaktuam një person të quajtur Mir Fufi dhe i bëmë të ditur arsyet e kontrollit. Por ky shtetas debatoi me shefin dhe urdhëroi shoqërimin e këtij personi drejt postës”,- thotë ai.
Pikërisht pasi ky person është liruar , katër orë më pas polici u sulmua dhe identifikoi njërin prej tyre i cili mbeti i plagosur në vend.
Por ndërkohë ende nuk janë identifikuar tre personat e tjerë pasi polici që gjuajti me armë deklaron se ata ishin gjashtë.
/Burimi: TCh/