Borxhi i qeverisë/ Shtrenjtohen kostot, rriten yield-et e Bonove të Thesarit

Me rritjen e yield-eve të bonove, edhe interesi total i kredisë rritet, duke sjellë këste më të larta në rivlerësimin e trye periodik.

Rritja e normës bazë të interesit nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë është reflektuar në një rritje të fortë të yield-eve të Bonove të Thesarit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në ankandin e ditës së martë, bonot 12-mujore u shitën me një yield mesatar të ponderuar prej 2.19%, nga 1.79% që kishte qenë ky tregues në ankandin e mëparshëm. Që nga fillimi i muajit mars, yield-et e Bonove 12 mujore në tregun primar janë rritur me 0.57 pikë përqindje ose rreth 35%. Rritja kryesore ka ardhur në ankandin e kësaj jave dhe ndryshimi normës bazë të interesit duket se ka dhënë efektin kryesor në të.

Megjithatë, rritja e interesave po ndikohet edhe nga tkurrje e likuiditetit në treg dhe një kërkesë më e pakët në ankande. Edhe në ankandin e kësaj jave u vërejt një kërkesë e kufizuar e investitorëve, që solli për të tretin ankand radhazi mosplotësimin e shumës së kërkuar për financim nga Ministria e Financave. Nga 9.7 lekë që ishte shuma e shpallur për financim, në ankand u paraqitën kërkesa totale në shumën e 8.5 miliardë lekëve, ndërsa Ministria e Financave pranoi oferta për më pak se 8 miliardë lekë.

Që para rritjes së normës bazë, Banka e Shqipërisë kishte ndërmarrë një hap tjetër në drejtim të normalizimit monetar, duke rikthyer formën klasike të ankandeve të të Marrëveshjeve të Anasjellta të Riblerjes, që janë edhe instrumenti kryesor i injektimit të likuiditetit në tregun bankar. Që prej 1 janarit 2022, ankandi i REPO-ve zhvillohet me shumë të fiksuar, ndërkohë që gjatë dy viteve të mëparshme ishte adoptuar formula e ankandit me çmim uniform, që mundësonte akses të pakufizuar në likuiditet për bankat tregtare. Ky ndryshim është reflektuar në rënie të huasë së dhënë nga Banka e Shqipërisë për bankat e nivelit të dytë në muajt e parë të këtij viti.

Tregu primar i letrave me vlerë të qeverisë zakonisht është hallka ku ndryshimet në normën bazë të interesit reflektohen më shpejt, sepse yield-et e bonove përgjithësisht janë treguesi referues apo benchmark për produktet financiare në lekë. Rritja e yield-eve të tyre ndikon edhe në normat e interesit për huatë që i jepen sektorit privat. Zakonisht, kreditë afatgjata në lekë kuotohen bazuar mbi një tregues referues, zakonisht Bono Thesari, duke shtuar një marzh fiks interesi.

Megjithatë, përtej ndikimit direkt që do të japë rritja e treguesit referues, bankat gradualisht kanë nisur të reflektojnë kushtet e reja monetare, duke rritur edhe marzhet e apo normën fikse të interesit për shumicën e produkteve. Burime nga tregu bëjnë të ditur se banka të veçanta kanë nisur tashmë të rrisin edhe marzhet fikse mbi kreditë afatgjata. Kjo rritje nuk lidhet vetëm me vendimin e javës së kaluar për të rritur normën bazë, por mbështetet mbi pritshmëri të qarta për rritjen e normave të interesit, në të gjitha monedhat. Këto pritshmëri janë forcuar ndjeshëm muajin e fundit, pas sulmit ushtarak të Rusisë mbi Ukrainën, që ka rritur pasigurinë dhe ka shtuar presionet inflacioniste në tregjet e mallrave.

Javën e kaluar, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të rrisë normën bazë të interesit nga 0.5% në 1%. Kjo ishte lëvizja e parë në rritje të normës bazë pas 11 vjetësh, duke shënuar kështu një pikë kthese në kursin e politikës monetare.

Këshilli Mbikëqyrës ka konstatuar se rritja e çmimeve në tregjet botërore do të shoqërohet me norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike krahasuar me projeksionet e mëparshme. Sipas skenarit bazë të parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, inflacioni do të luhatet rreth nivelit 5-6% për pjesën e mbetur të vitit 2022./Monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *