Hetime intensive janë duke u zhvilluar për të sqaruar ngjarjen në Elbasan, si pasojë e të cilës mbeti i plagosur dhe më pas u vu në pranga ende i plagosur Nuredin Dumani, njofton Policia e Shtetit.
Pas ngjarjes së pasdites të së martës, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë ndodhen në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit për të hetuar ngjarjen që solli plagosjen e një personi të akuzuar për vrasje të shumta, i cili çuditërisht qarkullonte me një makina me xhama të zinj dhe me targa të vjedhura, pa u pikasur nga shërbimet e rendit.
Sakaq, Nuredin Dumani, 35 vjeç, ka një aktivitet të ngjeshur kriminal në fushën e vrasjeve, përveç krimeve të tjera.
Profil:
Me origjinë nga Dibra, ai jetoi disa vite në zonën e Durrësit, ku nisi fillimisht aktivitetin kriminal si tutor prostitutash.
I riu ka qenë i lidhur me një rrjet prostitucioni, duke çuar vajza shqiptare në Francë, fillimisht me pretendimin për martesë dhe, pasi përfundonin atje, i shfrytëzonte për qëllime përfitimi. Në rast se kundërshtonin, Dumani i kërcënonte me vrasje të familjarëve të tyre.
Pas kësaj, ai u rikthye në Shqipëri duke u përfshirë në një nga grabitjet më të bujshme, atë të vjedhjes së miliona eurove në aeroportin e Rinasit më 9 prill të vitit 2019.
Të veshur si forca komando dhe të maskuar me paruke, grupi kreu vjedhjen e rreth 10 milionë eurove, shumë që po transportoheshin jashtë vendit nga një bankë e nivelit të dytë në vend.
Nga ngjarja mbeti i vrarë Admir Murataj, i konsideruar si “truri” i grabitjeve të këtyre përmasave.
Ishte pikërisht shuma e madhe e parave të grabitura që u bë shkak që marrëdhënia midis Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës të pësonte një krisje të pariparueshme, duke nisur edhe kalvarin e vrasjeve.
Shënjestra e parë e atentateve të dyshes ishte më 2 mars të vitit 2020, kur u ekzekutuan shtetasit Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdia, ngjarje e ndodhur në Nishtulla të Durrësit. Shkoza ishte me precedentë penalë në fushën e narkotikëve ku kishte kryer një burgim prej 8 vitesh.
Më pas, radhën e ekzekutimeve e kishin vëllezërit Viktor dhe Besmir Haxhia, me origjinë nga Puka dhe banues në Durrës.
Humbja e një shume parash të vjedhura nga grabitja në Rinas dhe të lëna nën ruajtje në servisin e këtyre të fundit, u bë shkak për ekzekutimin e djemve të familjes Haxhia, ngjarje e ndodhur më 24 prill të vitit 2020.
Ata u ekzekutuan me kallashnikov brenda makinës së tyre në hyrje të Durrësit, në afërsi të vendit ku u vranë edhe dy personat e tjerë, i zgjedhur me kujdes për të mos u pikasur nga kamerat dhe për t’u larguar me shpejtësi për të humbur gjurmët.
Policia thotë se ekzekutimi i 4 personave të cilët merreshin me shitblerje e servis makinash, ka të bëjë me grabitjen e parave në pistën e aeroportit të Rinasit, pasi më herët viktimat kishin bashkëpunuar me Çelën dhe Dumanin.
Ndërkohë që ishin në kërkim nga Policia, Nuredin Dumani dhe Talo Çela nuk e ndalën veprimtarinë e tyre kriminale. Kësaj here Nuredin Dumani u përfshi në vrasjen e Emiljano Ramazanit në qytetin e Elbasanit.
“Ushtari” i Dumanit, Klevis Kapllanaj, vendosi armën e vrasjes në një servis në Peqin, për të fajësuar dy vëllezër si fajtorë, pa e ditur se edhe vetë do të eliminohej.
Më 15 shtator 2020 ekzekutohet pranë banesës së tij Klevis Kapllanaj dhe shkak për ngjarjen ishin paratë e grabitura. Ndërsa numri i kundërshtarëve ishte zvogëluar, tanimë Nuredin Dumani kishte vënë në shënjestër Talo Çelën, duke i vrarë me armë zjarri vëllanë e tij, Bujar Çelën, më 17 shtator 2020.
Viktima po konsumonte kafen e mëngjesit kur u qëllua me disa plumba brenda lokalit. Pas arrestimit, Dumanit pritet t’i merret një profil ADN-je për të provuar përfshirjen e tij edhe në vrasje të tjera të pazbardhura.