Arsyet pse liqeni i Fierzës shteroi?

Liqeni i Kukësit shërbente jo vetëm si furnizues dhe rregullator i tre hidrocentraleve (Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës), por edhe si burim jetese për banorët e Kukësit, Hasit, Tropojës, Pukës dhe një pjese të Kosovës.

Por, ditët e fundit, liqeni është tharë. Ai i përngjan më shumë një moçali!
Ulja e nivelit të ujërave ka shkuar deri në atë pikë, sa ka nxjerrë në sipërfaqe edhe rrënojat e qytetit të vjetër të Kukësit.
Alarmi për tharjen e liqenit është bërë publik disa ditë më parë, ndërsa reagimi i vetëm i autoriteteve ka qenë ai se “ka ardhur si pasojë e thatësirës që po përjeton Shqipëria”.
Sipas ekspertit të mjedisit, Arben Palushi, ngjarje të tilla janë negative “sa i përket vendit dhe konsumatorëve të energjisë elektrike”.
Gjithsesi, sipas tij, jo e gjithë pesha bie mbi këtë çështje, pasi ka edhe faktorë të tjerë, që nuk varen domosdoshmërish nga Qeveria.
“Kjo situatë është përsëritur, është e katërta herë që ndodh”, shton ai. “Megjithatë dihen ciklet vjetore të natyrës edhe klimës. Çdo 10 vjet pritej që Drini të binte nëpër minimume”.
Krahas krizës energjetike, që ka kapluar të gjithë rajonin dhe më gjerë, gjëja e fundit që kanë nevojë shqiptarët është mbyllja e një burimi të energjisë elektrike.
Ndërkaq, ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë, Belinda Balluku, gjatë një takimi me autoritetet energjetike në Komitetin e Energjisë, bëri thirrje që të kursehet energjia dhe të bëhet ndërprerje “e ndriçimit në akset automobilistike kombëtare”.
Për deklaratën e mësipërme, eksperti i energjetikës, Azmer Duleviç, ka reaguar duke thënë që dritat në rrugët automobilistike konsumojnë pak, kështu që nuk do të ndikojnë në ruajtjen e konsumit të energjisë.
“Fikja e dritave në rrugë ka konsum shumë të vogël. Është si të hedhim një gotë ujë në Fierzë. Vende të ndryshme të rajonit, funksionojnë me panele diellore. Ne nuk e bëjmë, por duhet”.
Sipas Duleviç dhe ish-drejtorit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), Klodian Gradeci, shkaku i rëniës në këtë nivel të Liqenit të Fierzës, bie tërësisht mbi Qeverinë.
Duleviç thekson se “tharja e Fierzës nuk erdhi nga hiçi”. “Ne jemi në mars. Imagjinoni si do të shkojë në korrik. Keqmenaxhimi ka sjellë tharjen e Fierzës”, artikulon ai.
Qeveria, së bashku me KESH-in, akuzohen nga disa ekspertë, se verën e shkuar kanë vendosur të prodhonin maksimalisht, duke e konsumuar rezervën hidrike të vendit.
Ndërsa, për Gradecin, rënia e nivelit të liqenit ka ardhur si pasojë e mungesës së reshjeve të shiut, por “Ministria përgjegjëse, duhet të kishte ndërhyrë”.
Sipas tij, Qeveria mund ta kishte vënë në punë TEC-in e Vlorës, “i cili ka nga viti 2012 që mbahet në konservim dhe nuk punon”. “Fatkeqësisht nuk punon për një investim minimal, pasi nuk funksionon sistemi ftohës i TEC-it”, thotë ai.
Ndërsa, me vënien në punë të këtij TEC-i, do të prodhohej sipas ekspertit, aq energji sa edhe blen Korporata Elektroenergjitike Shqiptare.
“Po ta kishim atë TEC në punë sot, atëherë Shqipëria do të prodhonte 100 Mega dhe kjo është sasia se çfarë po importon KESH-i sot”, përmbyll ai.
Teksa, pas një kohe të madhe pa reshje, parashikimet klimatike në vend, janë më optimiste, pasi priten shira në nivel kombëtar.
Sytë e njerëzve, por edhe rezervat e Fierzat, janë drejtuar nga qielli, në një periudhë aspak të lehtë!

 

TAGGED:
Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *