Zhdukja e dosjeve nga Kadastra e Durrësit, Prokuroria nis hetimet!

Prokuroria e Durrësit ka nisur të premten hetimet në lidhje dëmtimet e regjistrave të Kadastrës së Durrësit.

Me anë të një njoftimi për mediat, Prokuroria njoftoi se është regjistruar procedimi penal dhe është ngritur grupi hetimor I përbërë nga juristë dhe oficerë të policisë gjyqësore për hetimin e plotë të çështjes.
“Nisur faktet e bëra publike në media për kontrollin e ushtruar në Kadastrën e Durrësit dhe konstatimin e dëmtimeve në regjistrat e pasurive të paluajtshme të regjistruara në zonën bregdetare të Durrësit si Plazh, Spitallë, Lalëz, Draç, Rodon, etj Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës ka regjistruar procedimin penal nr. 582, datë 01.04.2022 për veprat penale të parashikuara nga nenet 186 e 248 te Kodit Penal. Me urdhër të drejtueses së prokurorisë është krijuar një grup hetimor i përbërë nga prokurore dhe oficerë të policisë gjyqësore për hetimin e plotë të çështjes”, thekson Prokuroria Durrës.
“Mjaft më me këtë histori”, Yuri Kim: Gjeni përgjegjësit!
Një ditë më parë, lidhur me problematikën reagoi edhe Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim. Duke kërkuar vendosjen para drejtësisë së përgjegjësve të autorëve që zhdukën dokumentet nga Kadastra e Durrësit, ajo nënkuptoi se institucioni duhet ta zgjidhë çështjen sa më shpejt.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ambasadorja Kim shkruan se duhet që të ndërmerren hapa konkrete për të zgjidhur mangësitë e krijuara në dokumente dhe për të zbardhur krimet që mund të jenë kryer me përvetësimin e pronave publike.
“Mirëpresim raportin e sinqertë të Agjencisë së Kadastrës në lidhje me mangësitë dhe krimet e mundshme në Durrës. Ne presim hapa konkretë për të mbajtur përgjegjës përgjegjësit, për të rritur transparencën dhe për të mbyllur mundësitë për korrupsion kur bëhet fjalë për regjistrimin e pronave në Durrës dhe gjetkë në Shqipëri. Hapat e tillë do të tërheqin më shumë investime, përfshirë edhe nga SHBA.
Ata gjithashtu do të bëjnë të qartë se Shqipëria është gati për t’u anëtarësuar në BE,”-shkruan ambasadorja Kim në Twitter.
Janë edhe 1548 faqe bosh, janë brenda regjistrit; Artan Lame
Të mërkurën, drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame deklaroi se drejtoria e Durrësit ka ngritur një grup pune për të bërë inventarizimin e dokumenteve në hipotekë, duke bërë me dije se deklaroi se mungojnë disa faqe dhe në këtë mënyrë regjistri ndryshon.
“Këto faqe edhe kur i kanë grisur i kanë grisur pa kujdes. I ka mbetur vetëm rrënja e faqes që është grisur. Janë edhe 1548 faqe bosh, janë brenda regjistrit. Mjaft më me këtë histori dhe këtë situatë”– tha Lame ndërsa shtoi se kushdo që ka fuqi të shkojë të ankohet te kryeministri që t’i ndryshojë.
Në regjistrat e Kadastrës së Durrësit mungojnë 730 fletë
Më tej, Lame tha se arkivi ka 1063 regjistra dhe nga këto 152 janë në gjendje të mirë, ndërsa të tjerët paraqesin prekje dhe ndryshime brenda tyre, por edhe se mungojnë 730 fletë.
“Situata e trashëguar në zyrën e arkivit të regjistrimit të pasurive në Durrës e kalon çdo imagjinatë. Arkivi ka 1063 regjistra dhe nga këto 152 regjistra të pasurive të paluajtshme janë në gjendje të mirë, të tjerët paraqesin prekje dhe ndryshime brenda tyre. Në këto regjistra mungojnë 730 fletë. Mjafton të marrësh një nga këto regjistra dhe shikon që fleta nga fleta ndryshon. Kushdo që ka punuar qoftë edhe një ditë të vetme në administratë e di që regjistrat sekretohen, lidhen në mënyrë të pahapshme dhe nuk duhet të preken. Ti mund të shkruash dhe të fshish, por jo të heqësh faqe. Pra vetëm faqet që mungojnë tërësisht. Rezultojnë 569 faqe të dubluara”, shtoi Lame.
“Po patët fuqi të shkoni te Rama!”
Gjithashtu, Lame deklaroi se ata persona që kanë “këllqe” le të shkojnë te Kryeministri Edi Rama dhe t’i thonë t’iu ndërrojë ca fletë te raporti i tij.
“Vetë drejtoria është gjendur nën sikletet e bërjes së kësaj pune nga ata që nuk e donin të bëhej këtë gjë. Duke e lënë minimalisht në dy institucione po ua them të gjithëve që mos na bini më në qafë sepse ky material është i shpërndarë edhe në zyra të tjera po patët fuqi të shkoni te Rama ti thoni nda ndërro ca flete të ai raporti i Lames le të shkojnë, përndryshe është e kot të na ndërhyjnë sepse nuk ndërhyhet më”, u shpreh Lame.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *