Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari, në lidhje me çështjen e Alqi Bllakos, sqaron se duhet të mos nxitohemi duke dalë në përfundime, pasi arrestimi nuk nënkupton fajësim.
I ftuar në një intervistë televizive, ish-prokurori deklaroi se organi i akuzës duhet të jetë shumë i kujdesshëm kur kërkon në Gjykatë urdhër-arreste për një qytetar.
Sipas Hajdarit, kërkesa duhet të shoqërohet me prova të forta, por edhe me verifikim mbi pasuritë dhe paratë e personit që kërkon të vihet nën pranga.
“Është metodë lindore ajo që barazon arrestimin me fajësimin e personit. Ndërkohë që nga viti në vit janë bërë përmirësime në sistemin e drejtësisht, kryesisht në Gjykata. Për vepra të lehta nuk ka arsye të jepet arrest me burg, sepse duhen prova të forta. Ka kushte dhe kritere për vendosjen e një mase sigurie siç është ndikimi apo shantazhi te dëshmitarët, mundësia për t’u larguar, mundësia për të prishur provat e të tjera. Por Prokuroritë duhet ta kenë të provuar kur kërkojnë masën me arrest në Gjykatë. Të mos nxitohen dhe të kenë kujdes të madh, të kenë verifikuar pronat dhe paratë. Ne duhet t’i ikim metodës lindore sepse masa e sigurimit nuk është fajësim”, tha Hajdari.