Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ishte sot në Korçë ku zhvilloi një takim me grupseksionet e PD. Në këtë takim ai shprehu domosdoshmërinë për bashkimin e demokratëve.
Në një prononcim për mediat, Salianji theksoi se bashkimi arrihet vetëm me votë dhe jo procese të imponuara, duke iu referuar reformimit që po kryhet nga ana e “Rithemelimit” në degë.
Deputeti demokrat e quajti këtë si proces të njëanshëm dhe theksoi se bashkimi vjen vetëm përmes votës, duke i përfshirë të gjithë.
“Ne jemi në takime me grupseksionet. Ajo që vinte si thirrje nga të gjithë anëtarët e PD, në Korçë, është që ka të bëjë me bashkimin real të PD, i cili nuk vjen nga imponimi, nuk vjen nga bërja e proceseve fiktive, por del nga vota. Ajo që bashkon demokratët në këtë moment është bashkimi rreth votës dhe rreth një procesi që ka besueshmërinë e të gjitha palëve. Si deputet kam marrë mandatimin, më i votuari në këtë zonë. Do ju qëndroj besnik deri në fund. Nëse duan të bëjnë një garë të bukur me njëri tjetrin janë ë mirëpritur edhe ata qe mendojnë ndryshe. Nëse do të duan të bëjnë një betejë, në betejë do na kenë dhe do më kenë. Nëse do të duan të bëjnë një garë, që të fitojë ai që ka më shumë vota ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë.
Nëse duan të bëjnë një proces të njëanshëm, po ua them edhe këtë, nuk do ta realizojnë dot. Ka vetëm një rrugë për tu bashkuar PD, jo me procese të njëanshme dhe imponime, por me votën e demokratëve. Ky ishte mesazhi në këtë grupseksion”, tha Salianji.
/Priza.al