Pasditen e sotme, Ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha, ishte në Shkodër. Ai ka zhvilluar një takim me demokratët e Shkodrës, ku është pritur nga ish-kandidati për kryetar Bashkie, Xhemal Bushati dhe nga kreu i degës Xhevdet Amuli.
Pas takimit Basha ka folur para mediave. I pyetur nga mediat rreth deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha se Basha do të jetë kandidati i Ramës për president, ish-kreu i PD tha se refuzon gjuhën e gënjeshtërt, duke shtuar se sot në PD janë mbledhur rreth non-gratas dhe anti-vlerave.
Ish-kryetari i PD-së nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes nëse do të rikandidojë për kryetar partie.
“Unë nuk jam këtu për veten, por jam për vlerat e PD dhe të demokratëve të Shkodrës”
“Bashkimi duhet të bëhet rreth vlerave, e jo anti-vlerave”
Ndërsa shtoi se Partia Demokratike nuk mund të bëhet me non-grata.
“Partia Demokratike nuk bën dot përpara me non grata, me propagandë dhe pa e parë të vërtetën në sy ashtu siç është. Më 6 mars ishte betejë mes vlerave dhe antivlerave, antivlerat mund të kenë triumfuar, bashkëpunimi i non gratave mund të kenë fituar, blerja e votave mund të ketë qenë më e lehtë, por një gjë është e qartë që kështu nuk ecet përpara”, tha Basha.
/Priza.al