Një person rreth 35 vjeç ka mbetur i vrarë gjatë mbrëmjes së sotme në rrugën dytësore të autostradës Tiranë- Durrës.
Ndaj makinës së viktimës është qëlluar nga një automjet tjetër i cili ishte në lëvizje. Në të njëjtën kohë mësohet se viktima ishte duke udhëtuar vetëm në makinën tip fouristradë.
Fillimisht policia dyshoi se i riu ka pësuar aksident. Por teksa ka inspektuar gëzhojat, ka dalë në përfundimin se ndaj tij është bërë atentat. Dëshmitarët në vendngjarje nga ana tjetër janë shprehur se kanë dëgjuar breshëri automatike por më pas papritur kanë ndaluar, pasi ishin siguruar se qëllimi ishte arritur.
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 03.04.2022, në autostradën Tiranë-Durrës, përballë DHL-së, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar me armë zjarri drejt një automjeti tip “Land Rover” dhe si pasojë ka ndërruar jetë drejtuesi i mjetit, ende i paidentifikuar.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po vijojnë krehjen e zonës me qëllim kapjen e autorit/ëve.
Në bashkëpunim me DVP Durrës, Elbasan e Lezhë janë ngritur menjëherë pika kontrolli në rrugët interurbane.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për fiksimin e çdo prove të vlefshme që mund të çojë në identifikimin e autorëve.