Njohja nga ana e Kosovës të shtetit të Izraelit, si dhe pranimi i hapjes së ambasadës kosovare në Jerusalem nga ana e Prishtinës zyrtare, kanë zemëruar palestinezët.
Ministria e Punëve të Jashtme në Palestinë, në shenjë hakmarrjeje ka kërkuar nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik që të ndërpresë të gjitha lidhjet me shtetin e Kosovës.
Kryediplomati i Palestinës, Riyad al-Malki, i ka dërguar një letër sekretarit gjeneral të OBI-së, Yousef bin Ahmed Al-Othaimeen, si zbatim i politikave të kësaj organizate ndaj vendeve që shkelin ligjin ndërkombëtar, raporton “RTK”.
“Ky është një sulm i hapur i Kosovës ndaj popullit të Palestinës, të drejtave të tij dhe shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar”,- thuhet në letrën e Riyad al-Malki.
Këto reagime vijnë pasi Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem, e cila u inaugurua në mars.
/Priza.al/