Dy shtetas janë arrestuar ditën e sotme në Korçë. Bëhet fjalë për shtetasit G. S., 47 vjeç dhe J. P., 21 vjeç, banues në Korçë.
Të dy këta shtetas kryenin aktivitet të paligjshëm në fushën e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Policia ndërkohë ka sekuestruar dy aparate celular, ku dyshohet së përdoreshin për vendosjen e basteve sportive të palejuara.
Njoftimi i Policisë:
Vijon operacioni policor i koduar “Basti i fundit”, goditen dy raste të tjera të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Vihen në pranga dy shtetas.
Sekuestrohen dy aparate celulare, të cilët përdoreshin për vendosjen e basteve sportive.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të operacionit policor “Basti i fundit”, për goditjen e aktivitetit të paligjshëm në fushën e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë goditur dy raste të tjera, si rezultat i të cilëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve G. S., 47 vjeç dhe J. P., 21 vjeç, banues në Korçë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e policisë në lagjen nr. 9, Korçë, konkretisht në dy lokale në përdorim nga shtetas të tjerë janë konstatuar dy shtetasit e mësipërm, të cilëve respektivisht iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale nga një aparat celular, që dyshohet së përdoreshin për vendosjen e basteve sportive të palejuara.
Gjithashtu ditën e djeshme pati një aksion të lojërave të fatit ku në pranga ra një person kurse 2 të tjerë u proceduan në gjendje të lirë.
Njoftimi i Policisë datë 3.04.2021
Vijon operacioni policor i koduar “Basti i fundit”, për goditjen e informalitetit dhe organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Goditen dy raste të tjera, në Korçë dhe Pogradec. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, procedohet penalisht 1 dhe 1 tjetër shpallet në kërkim. Sekuestrohen 2 aparate celulare, që shërbenin për vendosjen e basteve sportive. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatet e Policisë Korçë dhe Pogradec, në vijim të operacionit policor “Basti i fundit”, për goditjen e aktivitetit të paligjshëm në fushën e informalitetit dhe organizimit të kundërligjshëm të lojrave të fatit, kanë vijuar të ushtrojnë kontrolle në ambiente të ndryshme në Korçë dhe Pogradec, si rezultat i të cilëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. M., 67 vjeç, banues në Korçë, u shpall në kërkim shtetasi D. Q., 52 vjeç dhe u procedua penalisht një 15-vjeçar, të dy banues në Pogradec.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë në lagjen nr. 8, Korçë, në lokalin në përdorim të shtetasit B. M., iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një aparat celular i cili dyshohet se shërbente për vendosjen e basteve sportive.
Gjithashtu në lagjen nr. 3, Pogradec, në lokalin e shtetasit D. Q., nga verifikimet e kryera rezultoi se një 15-vjeçar, i punësuar në këtë lokal në mënyrë të paligjshme, dyshohet se vendoste baste sportive për llogari të pronarit të lokalit, nga një aparat celular i cili iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Punësimi i paligjshëm”.