Presidenti Meta dha sinjalet dje se nuk ua ka besën dhe komisionerëve të LSI, por dhe të PD. Ai ka deklaruar se ata janë blerë nga qeveria, ndërsa i paralajmëroi hapur që të mos ndryshojnë rezultatin. Në një deklaratë për shtyp, Kreu i Shtetit tha se më 25 prill do të jetë në Vlorë, duke monitoruar procesin. Ndër të tjera u shpreh se me gjasë PS do ndërhyjë gjatë zgjedhjeve në Njësinë 10 në Tiranë. Lidhur me këtë denoncim, kreu i Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha se nuk ka asnjë shans që të ndërhyhet. Ai ka qetësuar palët politike, se vota e 25 prillit nuk do të manipulohet.
“Ne nuk duam të diskutojmë mbi asnjë deklaratë të kujtdo politikani, përfaqësues të partive politike. Por iu them me siguri të plotë, ajo që do të votohet në njësinë 10, përmes elektronikës, është 100% i sigurt nga çdo pikëpamje dhe nuk ka asnjë shans që dikush tjetër në mënyrë institucionale të manipulojë. Edhe në aspektin administrativ në këtë njësi zgjedhore, ashtu sikurse në të gjithë njësitë zgjedhore të Republikës së Shqipërisë, ofron siguri të plotë për integritetin e votës”, tha Celibashi.
Njësia 10, do ndryshojë mënyra votimit elektronik nga ajo me fletë?
Celibashi: Ne jemi përpjekur të respektojmë sa është e mundur fletën e votimit të miratuar tashmë. Jemi duke përshtatur zgjidhje teknike që të jetë sa më afër fletës së miratuar. Nuk ka logjikë të jetë votim veçmas për kandidatët edhe në pajisje kandidatët do jenë me numër.
Nëse nuk do funksionojë pajisja, çfarë do të ndodhë?
Celibashi: Është detyrim kontraktor, parashikuar edhe në aktet e KQZ zëvendësimi i pajises brenda 2 orëve.