Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla është paraqitur sot për herë të parë pranë Gjykatës së Krimeve të rënda, pasi zhvillohet seanca e mbrojtjes ndaj tij. Ai iu drejtua gjykatës së bashku me avokatin e tij, në seancë ku pritet që të paraqesë mbrojtjen. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar 2 vite burg për Llallën, i cili akuzohet për veprën penale të “deklarimit të rremë të pasurisë”.
Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla u largua nga detyra në 8 dhjetor 2017 pasi i skadoi mandati dhe në vend të tij u zgjodh vetëm me votat e socialistëve, kryeprokurorja Arta Marku. Llalla i shpëtoi procesit të Vettingut, pasi paraqiti dorëheqjen nga sistemi para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. KPK-ja pranoi kërkesën e Llallës duke e nxjerrë nga sistemi dhe duke mos kaluar në Vetting. Komisioneri Publik ankimoi pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, vendimin e KPK-së.
Adriatik Llalla është një prej tre ish-zyrtarëve të lartë shqiptarë, për të cilin sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, më 14 shkurt të 2018, komunikoi vendimin se ai nuk do të shkelë kurrë në tokën amerikane.