Pesimizmi i ka kapluar shqiptarët më tepër se kurrë në lidhje me situatën e tyre të pritshme familjare gjatë 12 muajve në vijim, madje shihen më negativë edhe se në prill 2020, kur ishte nën masat e karantinimit, si pasojë e pandemisë së Covid-19.
Rritja e çmimeve brenda një periudhe shumë të shkurtër, dhe kur të ardhurat e tyre nuk po rriten ka bërë që për pasojë më shumë familjarë të parashikojnë vështirësi me financat e tyre në të ardhmen.
Banka e Shqipërisë ka kryer një anketim në lidhje me besimin konsumator për muajin mars 2022, dhe nga rezultatet e publikuara shihet se shumica e përgjigjeve ishte negative prej -12.99, niveli më negativ i regjistruar ndonjëherë, që nga maji i vitit 2016, kur Banka e Shqipërisë publikon gjetjet e sondazhit.
Sakaq, shihet edhe si niveli më negativ se maji 2020, (prej -8.2), kur familjet po ndienin pasojat që dha në ekonomi Covid-19.
Pyetjet e të anketuarve kanë qenë:
Si prisni të ndryshojë situata financiare në familjen tuaj gjatë 12 muajve të ardhshëm?
- Do të përmirësohet shumë
- Do të përmirësohet
- Nuk do të ndryshojë
- Do të keqësohet
- Do të keqësohet shumë
- Nuk e di
Balanca negative do të thotë që rreth 13% më shumë të anketuar presin që situata financiare në familjen e tyre të përkeqësohet, sesa ata që presin të përmirësohet.
Të dhënat e anketimit tregojnë se deri në mars 2020, pritshmërinë e familjeve për të ardhmen e tyre përgjithësisht ishin pozitive.
Pas pandemisë, balanca e përgjigjeve u bë negative për herë të parë, duke kulmuar në maj 2020. Me hapjen e ekonomisë, treguesi kaloi gradualisht në pozitiv, duke arritur nivelin më të lartë në shtator 2021.
Por, rritja e çmimeve, ka bërë që familjet të ishin pesimistë, sepse përkeqësimi ishte shumë i ndjeshëm në mars, ku çdo produkt u shtrenjtua.
Jo vetëm pritshmëritë por po shihet se konsumatorët rezultojnë se shohin përkeqësim të situatës familjare edhe gjatë muajve të fundit. Balanca e përgjigjeve në mars 2022 për pyetjen “Si ka ndryshuar situata financiare e familjes suaj gjatë 12 muajve të fundit?” është sërish negative (-16.08), ndër më të ulëtat historike.
Që prej 2021, gjithnjë e më shumë familje deklarojnë se situata financiare është përkeqësuar në raport me ata që mendojnë se situata është përmirësuar.
Përkeqësimi i vlerësimeve dhe pritshmërinë të familjarëve për situatën e tyre financiare lidhet më së shumti me rritjen e çmimeve. Që prej muajit tetor, konsumatorët po e ndjejnë barrën e shtuar në buxhetet e tyre nga rritja e çmimeve.
Indeksi i besimit konsumator, që matet nga Banka e Shqipërisë, u drejtua individëve ndër të tjera edhe pyetjen: “Si mendoni se kanë ndryshuar çmimet gjatë 12 muajve të fundit?”: janë rritur shumë, janë rritur në mënyrë të moderuar, janë rritur pak, pothuajse të pandryshuara, janë ulur?.
Duke filluar që nga tetori, balanca e përgjigjeve tregon se konsumatorët gjithnjë e më shumë po e ndjejnë dukshëm rritjen e çmimeve katër muajt e fundit (shiko grafikun: Çmimet gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit, maj 2016-mars 2022).
Balanca e përgjigjeve në mars ishte 37.5 (e rregulluar sezonalisht), që do të thotë që 37.5% më shumë konsumatorë mendojnë që çmimet janë rritur se ata që mendojnë se janë ulur.