Ina Kasimati është mësuesja e cila po bën xhiron e rrjetit ditëve të fundit. Si mësuesja që nuk hoqi dorë kurrë nga beteja me kancerit, ajo është gjendur sërish pas shumë kohës përballë vështirësive. Ina kërkon ndihmë për të mundësuar një analizë, e cila nuk kryhet në Shqipëri.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, mësuesja e biologjisë ka treguar se si ju rishfaq kanceri i gjirit.
“Pata një ngarkesë shumë të madhe këtë vit në shkollë dhe lodhje, stres, tiroidet. Kam shkuar kam bërë analizat me besim të plotë, sepse një javë kam shkuar në protesta përpara kryeministrisë. Kam shkuar në shkollë kam dhënë mësim, madje kam kërkuar që të hapen dritaret që të hynte ajri. Madje, kam organizuar edhe ditën e Tokës. Së fundmi, kam dhënë edhe provimin e anglishtes.
Kur çoja djalin në shkollë dhe mbaja çantën ndjeja një dhimbje, aty po e ndjeja. Derisa bëra analizat, dola me ujë në mushkri. Kontaktova me vajzë e dajës të cilën e kisha mjeke dhe më dërgoi për të bërë një ekografi”.
Ndër të tjera ajo ka shprehur edhe falënderimin e madh për nxënësit e saj të cilët kanë hapur dhe një llogari për mbledhje fondesh.
“Nxënësit e shkollës më kanë befasuar, të gjithë ata që më njohin dhe nuk më njohin, kanë mbledhur fondet. Tani jam në një situatë që një analizë nuk bëhet këtu sipas mjekëve, bëhet jashtë.
Ajo që ndodhi dje unë nuk e kisha pritur, sepse paralelisht kanë vepruar edhe ish-nxënësit e mi, të cilët kanë vepruar. Nuk e dija që ajo që kisha dhënë do më shpërbleheshe një ditë. Unë jam një nënë që kam dy fëmijë, i vogli është 9 vjeç dhe ka nevojë për mua sepse është krejt i vetëm në këtë botë. Prandaj nuk duhet të heq dorë”, shtoi ndër të tjera ajo.