Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se mjeku nga Podujeva, Ibrahim Hoti është arrestuar. Kjo erdhi pas publikimit të videos nga mediat kosovare, ku Hoti shihet se nuk i dha ndihmë mjekësore një pacienti të moshuar. Ai do të mbahet në paraburgim për 48 orë, deri në një vendim tjetër.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin se pas publikimit të pamjeve në media, lidhur me një rast i cili ka ndodhur sot, konkretisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë, ku disa pacientë nuk marrin shërbime shëndetësore nga ky institucion, Prokurori i Shtetit, menjëherë ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, duke iniciuar rastin si “Mosdhënia e ndihmës mjekësore”, nga neni 255 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është intervistuar i dyshuari-mjeku me inicialet I.H., në drejtim të veprës penale të lartcekur dhe i njëjti është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.? Ndërkohë, Drejtori i Shëndetësisë në Podujevë, Driton Veliu ka lajmëruar që mjeku, Ibrahim Hoti është suspenduar nga puna pasi refuzoi të jap shërbime shëndetësore një të moshuari. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Podujevës ku pulmologu Ibrahim Hoti, nuk i ofroi shërbim pacientit të moshuar me arsyetimin se tashmë është bërë ora 15:05 minuta, ndërsa ai kishte përfunduar orarin në ora 15:00”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Me arrestimin e Hotit, Podujeva ka mbetur pa pulmolog. Ai ishte i vetmi pulmolog në QKFM-në e Podujevës. Pas kësaj ngjarjeje, mjekët e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë (QKMF) kanë nisur sot një protestë. Ata kërkojnë lirimin e menjëhershëm të mjekut dhe thonë se nuk do të heqin dorë nga kërkesa e tyre deri në realizim të saj.