Presidenti aktual i Francës, Emmanuel Macron, dhe kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, do të përballen në rundin e dytë të zgjedhjeve më 24 prill, sipas sondazheve të para.
Të dielën, francezët votuan në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ku garuan 12 kandidatë.
Sipas sondazheve të para pas mbylljes së vendvotimeve, Macron ka marr 28.1 për qind të votave, ndërkaq Le Pen 23.3.
Në zgjedhje të drejtë vote kanë pasur 48.7 milionë votues.
Presidenti i ri do të ketë fuqinë që të formësojë Francën dhe rolin e saj kyç në Evropë në pesë vjetët e ardhshëm. Edhe pse zgjedhjet janë lënë në hije nga lufta e Rusisë në Ukrainë, për shumicën e votuesve, çështja kryesore në këto zgjedhje është kostoja e jetesës.
Macron dhe Le Pen kanë pikëpamje shumë të ndryshme sa i përket politikës së jashtme dhe qasjes ndaj Rusisë, por edhe Bashkimit Evropian. Po ashtu ata kanë edhe pikëpamje të ndryshme lidhur me financat publike apo për investitorët e huaj.
Një fitore e Macronit do të thoshte një vazhdimësi për Francën, ndërkaq një fitore e Le Pen do të nënkuptonte ndryshime të mëdha.
Tani që Britania është larguar nga BE-ja, Franca është fuqia kryesore ushtarake e bllokut. Po ashtu, është ekonomia e dytë më e madhe, dhe largimi nga politika e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, i ka dhënë Macronit një rol më të rëndësishëm në Evropë. Një fitore e Le Pen do ta përplaste Francën me partnerët e BE-së.
Shqetësimet kryesore për votuesit, sipas sondazheve parazgjedhore, ishin rritja e madhe e çmimeve të energjisë dhe rritja e inflacionit. Sondazhet po ashtu treguan se votuesit ishin të pakënaqur me politikat ekonomike të Macronit, edhe pse niveli i papunësisë është më i ulëti ndër vite. Po ashtu, mënyra sesi Macron ka menaxhuar pandeminë e koronavirusit, u tha se mund të luajë rol në këto zgjedhje, pavarësisht se kufizimet kundër COVID-19 pothuajse janë hequr të gjitha.
Kush është Emmanuel Macron?
Kur u bë presidenti më i ri i Francës më 2017, u vulos edhe rritja e popullaritetit të tij që erdhi më pak se një vit pasi ai nisi një lëvizje politike centriste të quajtur La République En Marche!, me qëllim që të sfidojë partitë tradicionale.
Pas pesë vjetësh, Macron 44 vjeç, vazhdon të dominojë skenën politike të Francës, por në këto zgjedhje përballet me një sfidë të fortë nga Marine Le Pen, kandidatja e ekstremit të djathtë, që Macron me lehtësi e mposhti në balotazhin e vitit 2017.
Ai hyri në Pallatin Elize pa njohuri të mëdha politike. Para se të bëhej president, ai kishte mbajtur postin e ministrit të Ekonomisë, por asnjëherë nuk kishte garuar për post publik. Një person i afërt me presidentin socialist, François Hollande, Macron hoqi dorë nga të gjitha besnikëritë politike dhe shumë votues, thanë se ky fakt e bëri që të dallohej nga klasa në pushtet.
Gjatë mandatit të tij, Macron ka shtyrë përpara reforma kundërthënëse. Ai ua ka bërë më të lehtë punëdhënësve që të largojnë nga puna punëtorët e tyre, ka zvogëluar taksat dhe ka prezantuar ligje më të ashpra të sigurisë për të luftuar terrorizimin.
Por, taksa për karburante më 2018, bëri që të ketë protesta masive, gjë që e shtyri Macronin që të heqë dorë nga propozimi i tij.
Të tjera reforma, përfshirë edhe premtimin që niveli i papunësisë të zbresë nga mbi 10 për qind në 7 për qind më 2022 nuk u realizua për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe papunësia në Francë aktualisht është në 7.4 për qind.
Tani ai po premton që të shkurtojë taksat për 15 miliardë euro në vit për amvisëritë dhe bizneset dhe për rritjen e moshës së pensionimit nga 62 në 65. Ky propozim nuk është aspak popullor sepse pritet të rrisë koston e jetesës. Kundërshtarët e tij po ashtu e kanë akuzuar Macronin se varet shumë për këshillim nga firma amerikane për konsulentë, McKinsey.
Macron po ashtu dëshiron të investojë në forcat e armatosura, duke dyfishuar numrin e forcave rezerviste.
Kush është Marine Le Pen?
Marine Le Pen ishte në balotazhin e 2017-s kundër Macronit.
Familja e saj ka qenë sinonim i ekstremit të djathtë në Francë për dekada të tëra. Por, në këto zgjedhje ajo nuk është e vetmja që kërkon votat e krahut të djathtë, për shkak të rivalit të saj të madh Éric Zemmour. Edhe pse disa anëtarë të ekipit të saj kanë shkuar në ekipin e Zemmour, përfshirë edhe mbesën e saj, Zemmour ka pikëpamje më ekstreme ndaj Islamit dhe migrimit, prandaj qasja e Le Pen tani duket si më e moderuar.
Një lojtare politike për vite me radhë në Francë, Marine Le Pen u bë eurodeputete përpara se të shfaqje ambicie presidenciale. Pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2017, ajo riemëroi partinë e saj Fronti Kombëtar në Tubimi Kombëtar (Rassemblement National).
Që atëherë, ajo ka pasur një mesazh kundër migrimit, kundër Bashkimit Evropian, mesazhe këto që kanë rezonuar me votuesit e pakënaqur.
Më herët ajo kishte shprehur admirimin e saj për Rusinë e Vladimir Putinit dhe ishte varur shumë nga borxhet në një bankë ruse për fushatën e saj presidenciale më 2017. Le Pen ka dënuar pushtimin e Putinit të Ukrainës, përderisa ka paralajmëruar për rrezikun e sanksioneve në ekonominë franceze.
Le Pen, 53-vjeçare, ka premtuar se do të ndalë abuzimin me të drejtën e azilit, përmes një referendumi për kufizimin e imigracionit. Ajo dëshiron të ndalojë mbajtjen e hixhabit islam në vendet publike. Ajo po ashtu po kërkon që ta kthejë BE-në në një aleancë kombesh që nuk sfidohen nga ligjet e BE-së.
Ajo ka premtuar të heqë taksën e të ardhurave për personat nën moshën 30-vjeçare dhe t’i përjashtojë kompanitë nga pagesat e taksave nëse i rrisin pagat minimale për 10 për qind për shumicën e punëtorëve të tyre.
Kush ishin kandidatët e tjerë?
Kandidati më i fortë nga krahu i majtë ishte Jean-Luc Mélenchon, një kritik i politikave ekonomike të Macronit dhe një mbështetës i protestave kundër rritjes së çmimeve të karburanteve, protesta që shpërthyen më 2018.
Kandidatët e tjerë në zgjedhjet presidenciale në Francë ishin: kandidati i ekstremit të djathtë, Éric Zemmour, konservatorja Valérie Pécresse, Yannick Jadot nga të Gjelbrit, Fabien Roussel nga partia komuniste, socialistja Anne Hidalgo, Nathalie Arthaud nga krahu i majtë si dhe Philippe Poutou, po ashtu majtist. Në zgjedhjet presidenciale po ashtu kanë garuar kandidati i qendrës, Jean Lassalle dhe liberali, Nicolas Dupont-Aignan./REL