“Pandi nuk më donte për kryetar. Më tha hiqi çorapet e kuqe dhe martohu”. Këtë batutë Edi Rama e tregonte vite me parë në formë barcolete, nëpër takime me socialistë të thjeshtë. Buzëqeshte Rama, gajasej Pandi (Majko) dhe shkriheshin në gaz socialistët e thjeshtë.
Nuk është e fshehtë që ish-kryeministri Pandeli Majko nuk ka pasur ndonjë dashuri të veçantë për pasardhësin e Fatos Nanos në PS. Ashtu siç nuk është sekret që Edi Rama nuk ka ka patur simpati speciale për një nga figurat kryesore të “PS-së së vjetër”.
Pas fitores së zgjedhjeve në 2013 deri në mbyllje të mandatit të dytë më 2021, Pandeli Majko u la jashtë qeverisë. Ai ishte deputet i i thjeshtë i PS, përfaqësues i “Stalingradit” të Tiranës, njësisë numër 5.
Në zgjedhjet e vitit 2021, Edi Rama e renditi atë dukshëm në listën humbëse, duke e vendosur të 19-tin në Tiranë. Dy figura të tjera, “pesha të rënda” të partisë, Mimi Kodheli dhe Fatmir Xhafaj u vendosën në vendet 21 dhe 23 të kësaj liste.
Edi Rama kishte vendosur të divorcohej përfundimisht me këtë treshe politikanësh. Me secilin për arsye të ndryshme. Fatmir Xhafaj iku si ministër i Brendshëm, kur vendosi të godasë një grup të fuqishëm të implikuar në aktivitet kriminal, por që Ramës i sillte vota në Durrës. Majko ishte “mistreci” që nuk i bindej lehtë vullnetit të kryetarit. Ngelja jashtë e Kodhelit, mbeti mister.
Por, pavarësisht se Rama i nxori nga dera, të tre këta politikanë rihynë nga dritarja në grupin parlamentar të PS.
Mimi Kodheli e mori mandatin pasi atë e la Najada Çomo, Fatmir Xhafaj theu herësin duke lënë jashtë Kuvendit deputetin “në listën e sigurt” Ervin Bushati, kurse Pandeli Majko zëvendësoi Alqi Bllakon e arrestuar.
Por pse, megjithëse nuk kanë dhënë asnjë shenjë serioze publike kundër Edi Ramës dhe qeverisë së tij, media ka nisur t’i quajë rebelë?
A mund ta cenojnë apo kërcënojnë këta “rebelë” pushtetin absolut të kryeministrit? A mund të shndërrohen ata diku, dikur, shembëlltyra praktike të shprehjes “hakmarrja është një pjatë që shërbehet e ftohtë?”
E vështirë për t’u parashikuar. E vërteta është se Edi Rama nuk i donte këta 3 politikanë në Kuvend, ndaj i renditi në listën humbëse të kandidatëve për deputetë. Por, i vërtetë është dhe fakti se ai ai ka pushtet të padiskutueshëm, jo vetëm ekzekutiv, por edhe partiak.
Pakënaqësitë brenda grupit parlamentar janë në rritje, por hë për hë askush nuk mendon të bëjë “harakiri” politik. Edhe Ditmir Bushati vendosi të “rihyjë” në vathë duke i harruar kritikat e para do kohëve. Në rrethanat aktuale, pushteti i Edi Ramës nuk mund të rrezikohet nga të pakënaqurit në PS. Por, rrethanat ndryshojnë. Afera e inceneratorëve mund të mbetet ende një patate e nxehtë në duart e kreut të qeverisë. Dhe nëse ajo del jashtë kontrollit dhe përvëlon rrethin e parë pranë Ramës, askush nuk mund të thotë se “rebelët” do vazhdojnë të rrinë urtë dhe nuk do ngulin edhe ata një “thikë”, në trupin e Çezarit absolut.