KPA pranon kërkesën e Elisabeta Imerajt, merren në shqyrtim disa prova të reja

Kolegji i Posaçëm të Apelimit këtë të martë në seancën e radhës ka vendosur riçeljen e hetimit gjyqësor ndaj drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj.

Bëhet me dije se në këtë proces do të paraqiten prova të reja në shkallën e dytë të vettingut dhe nuk do të pranohen dëshmitare.

Imeraj u paraqit në seancë e shoqëruar me përfaqësuesin e saj ligjor, avokatin e Dhomës së Avokatisë së Strasburgut, Gregory Thuan. Ai e cilësoi rastin e Imerajt si “shembull të papajtueshmërisë me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Provat e pranuara

Gjatë seancave të mëparshme Imeraj paraqiti si prova një numër të madh përgjigjesh të marra bazuar në kërkesat e saj drejtuar Kadastrës, Gjendjes Civile e Tatimeve, me të cilat vërtetonte se nuk kishte zotëruar asnjëherë asnjë pronë, si dhe nuk rezultonte të ishte bashkëpronare në asnjë pasuri.

Po ashtu, ajo paraqiti si prova edhe përgjigjet e gjithë komisariateve, pikave kufitare, Interpol-it, Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të tjera verifikuese, të cilave u kishte kërkuar informacion nëse ish-bashkëshorti i saj dhe vëllai i tij, rezultonin ose jo të përfshirë në ndonjë vepër penale ose nëse ishin dënuar.

Kur i parashtroi këto prova, Imeraj deklaroi se përgjigjet ishin negative dhe provoi faktin se nuk kishte mundësi të kishte dijeni për vendimin e Gjykatës së Romës të Shkallës së Parë për dënimin e ish-bashkëshortit dhe ish-kunatit, për trafikim të qënieve njerëzore dhe shfrytëzim prostitucioni.

Ajo paraqiti si provë të re dhe një vendim të ILD-së që nuk ka gjetur konflikt intersi për tre anëtarët e KLP-së në votimin e saj si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, si dhe një akt të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ku deklaronte diskriminimin për shkaqe krahinore.

Imeraj dorëzoi si provë dhe një kartelë të një pasurie, me të cilën provonte se akti që gjendej në dosjen e Komisionit për këtë pronë ku ishte dhe emri i saj, ishte i falsifikuar.

Kryesuesja Rama deklaroi se si prova do të administrohen edhe të gjitha pohimet e Imerajt në seancat publike të zhvilluara në Kolegj.

Rama i dha përgjigje edhe kërkesës së Imerajt për moskonsiderimin si provë të gjetjeve të ONM-së, për të cilat ajo deklaroi në seancat e mëparshme se janë të bazuara në copa letre dhe se janë të pavërteta.

“Gjetjet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit përbëjnë provë në vetvete dhe do ti nënshtrohen hetimit gjyqësor në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit”, deklaroi Rama.

Ajo shtoi se do të shqyrtohen edhe dokumentet e paraqitura në shtojcën e ONM-së, si dhe një pretendim i ri i vëzhguesve ndërkombëtarë i datës 4 shkurt, së bashku me dokumentet shoqëruese – të cilat kanë të bëjnë me dënimin e ish-bashkëshortit të Imerajt në Itali dhe çështje penale të përfaqësuara prej saj në gjykatë.

Aktet dhe kërkimet që nuk u pranuan

Kryesuesja Rama listoi edhe aktet dhe kërkimet e prokurores Elizabeta Imeraj, të cilat nuk janë konsideruar prej Kolegjit për tu administruar si prova. Rama shpjegoi se në këto raste është vlerësuar se aktet nuk janë të nevojshme për zgjidhjen e shkaqeve të ankimit të paraqitur nga Komisioneri Florian Ballhysa.

Konkretisht, KPA vlerëson të panevojshme thirrjen e si dëshmitarë të familjarëve të subjektit dhe të ish-bashkëshortit për dhënë deklarimet e tyre lidhur me situatën e zgjidhjes së martesës dhe për mosdijeninë për dënimet në Itali të paraqitura nga ONM, që kanë të bëjnë me kriterin e figurës.

E panevojshme u konsiderua edhe thirrja si dëshmitar e personit me të cilin ish-bashkëshorti kishte shkëmbyer tokën bujqësore në Mullet me truallin në Tiranë. Po ashtu, u vendos të mos kërkohet informacion nga Bashkia e Tiranës lidhur me vlerën e truallit dhe të sipërfaqes tokë-arë.

Kolegji konsideroi të panevojshme për zgjidhjen e çështjes thirrjen në cilësinë e dëshmitarit të dy anëtarëve të trupës së KPK që konfirmoi Imerajn, komisionerët Roland Ilia dhe Olsi Komici, si dhe përfaqësuesin e ONM-së, Theo Jacobs. Imeraj tha gjatë parashtrimeve se komisionerët ishin fyer dhe shantazhuar nga vëzhguesi ndërkombëtar.

KPA vlerësoi të panevojshme edhe thirrjen si dëshmitarë të denoncuesve të Imerajt për të cilët ajo pretendon se janë të rremë; një gazetar; si dhe të një eksperti që ka kryer analizën financiare me kërkesë të subjektit, që ajo e ka dorëzuar si provë.

Kolegji vendosi të mospranojë as kërkesat e Imerajt për të marrë dhe për t’u njohur me fashikujt e çështjeve hetimore lidhur me kallëzimet e kryera prej saj për përgjimet dhe shantazhet ndaj ndërkombëtarëve e komisionerëve, si dhe aktet e procedimit të punonjëses së KPK-së me të cilat subjekti pretendon se provohet hetimi administrativ tendencioz në KPK.

Për kërkesën e kryer nga Imeraj për administrimin e regjistrimit audio të seancës në KPK, lidhur me gjetjen për etikën ku Komisioneri pretendon se sjellja e subjektit nuk është e duhura, kryesuesja Rama solli në vëmendje se është i administruar procesverbali i shkruar i gjithë seancës dhe sipas saj nuk është e nevojshme.

Trupa vendosi të mos hetojë disa denoncime të depozituara në Kolegj, duke konsideruar se ato nuk përmbushin kriteret ligjore, si dhe nuk gjenden indicie.

Rama i kërkoi Imerajt që të depozitojë kopjet origjinale të disa akteve me të cilat ajo vërteton pagesën e qirasë së banesës ku jeton.

Në fund të seancës, prokurorja Imeraj e pyeti Komisionerin Ballhysa nëse ai kishte ndonjë qëndrim lidhur me kartelën e një pasurie që gjendet në dosjen e KPK-së, që sipas saj është e falsifikuar.

Komisioneri Ballhysa vërejti se kartela në fjalë nuk ishte objekt i shkaqeve të ankimit. “Shkak në ankim është titulli i pronësisë dhe mënyra se si subjekti i rivlerësimit është sjellë juridikisht me këtë pronë”, sqaroi Ballhysa.

Avokati Gregory Thuan kërkoi kohë të mjaftueshme për të përgatitur dhe paraqitur konkluzionet përfundimtare me shkrim.

Pasi u tërhoq, trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Ina Rama, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Mimoza Tasi, Albana Shtylla dhe Sokol Çomo, vendosi të mbylli hetimin gjyqësor dhe u kërkoi palëve të përgatisin dhe paraqesin konkluzionet përfundimtare më datë 20 prill, në orën 13:00.

Në mbyllje të seancës, prokurorja Imeraj e pyetur nga mediat se si ndihet pas pranimit të provave të reja, tha se ‘pres drejtësi’.
Shkalla e parë e Vetingut konfirmoi në detyrë Elisabeta Imerajn në prill të vitit 2021, me arsyetimin se përmbush të tre kriteret; ligjshmërinë e pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizimin. Por, konfirmimi u pasua nga shqetësime të mëdha mes ndërkombëtarëve, sipas të cilëve rasti Imeraj vë në rrezik “integritetin, pavarësinë dhe tërësinë e procesit të vetingut”.

Në korrik 2021, në limitet e afatit kohor të përcaktuar, Komisioneri Publik Florian Ballhysa dorëzoi ankimimin e vendimit të konfirmimit në detyrë duke cituar gjerësisht gjetjet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe duke kërkuar shkarkimin nga detyra të Imerajt.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *