Kryetari i bashkisë së qytetit ukrainas të Mariupolit, tha se vlerësimet e fundit flasin se afër 21,000 banorë të këtij qyteti-portual janë vrarë që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt. Gjatë një adresimi televiziv, i pari i Mariupolit, Vadym Boichenko, tha se ka qenë e vështirë që të llogaritej numri i saktë i viktimave, pasi kanë nisur luftimet në rrugët e këtij qyteti.
Mariupoli, që gjendet në juglindje të Ukrainës, është i rrethuar nga trupat ruse. Ky qytet është goditur më së keqi nga bombardimet dhe sulmet ajrore ruse. Ukraina ka thënë se banorët që ende gjenden në qytet nuk kanë qasje në ujë, rrymë dhe nevoja të tjera bazike. Rrethimin e qytetit të Mariupolit zyrtarët ukrainas e kanë quajtur krim lufte. Ky qytet është i një rëndësie të madhe për Rusinë, pasi nëse bie nën kontrollin rus, do të krijonte një urë tokësore midis Krimesë së aneksuar nga Moska dhe rajonit lindor ukrainas të Donbasit, pjesë të së cilit, që prej vitit 2014, kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.
Ndërkohë Presidenti rus, Vladimir Putin, u zotua se Rusia do të triumfojë në të gjitha qëllimet te cilat I quajti “fisnike”. Ai po ashtu tha se sanksionet e Perëndimit po dështojnë që ta gjunjëzojnë ekonominë ruse.
Duke folur për luftën në Ukrainë për herë të parë pasi forcat ruse u tërhoqën nga veriu i Ukrainës, Putin tha se situata në Ukrainë është tragjedi. Megjithatë, sipas tij, Rusia nuk ka zgjidhje tjetër por të luftojë, pasi siç tha lideri rus, duhet të mbrojnë rusishtfolësit në lindje të Ukrainës dhe për të parandaluar këtë shtet që të bëhet një trampolinë antiruse për armiqtë e Moskës.