I bujshëm ka qenë arrestimi i Eduart Dautit, i cili lëvizte i lirë nëpër Tiranë ndonëse ka qenë në kërkim ndërkombëtar.
Menjëherë pas arrestimit SPAK ka urdhëruar grupin hetimor që të verifikojnë pasurinë e tij, edhe pse deri më tani janë bërë të ditura vetëm pronat e patundshme. Sakaq, ajo që kërkon SPAK lidhet me një sërë llogarish bankare, ku dyshohet se bosi i firmës së importit të frutave ekzotike në Shqipëri strehonte paratë, këto të ardhura nga trafiku i kokainës.
Kujtojmë se pronari “Alba Exotic Fruit” u arrestua pak ditë më parë në Tiranë, nën akuzat e trafikut ndërkombëtar të drogës. Para Policisë dhe më pas para gjykatës, biznesmeni ka mohuar të gjitha akuzat dhe pretendon se nuk ka asnjë lidhje me episodet për të cilat ai akuzohet.
Sakaq, në pronësi të Dutit rezulton një automjet i “Mercedes-Benz”, një motor, 6 sipërfaqe toke, një apartament dhe dy garazhe. Po kështu, janë siguruar informacione në rrugë operative 51 vjeçari disponon edhe shuma të mëdha parash në disa banka të nivelit të dytë në emër të familjarëve dhe persona të lidhur me të.