Basha flet për situatën e PD: Kush nuk është me mua shpallet kulak, njerëzit nuk ndjejnë frymë bashkimi

Ditën e sotme, ish kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka folur për mediat në lidhje me krizën e partisë. Sakaq, ndonëse nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e grupit, Basha pohon se ka kryer takime me demokratët në terren dhe këta të fundit nuk ndjejnë frymën e bashkimit.

Ndër të tjera ai është zotuar se do të mbrojë interesat më të mira të shqiptarëve, dhe se Ramën e sheh si përgjegjës kryesor në lidhje me situatën në të cilën ndodhet vendi sot.

“Prej disa kohësh PD vijon të jetë në krizë, dhe ndonëse ka pasur disa mbledhje të grupit, nuk ka pasur bashkim? Unë vij nga takimet me demokratët në terren, të cilët nuk e ndjejnë frymën e bashkimit, ka një grup njerëzish që kanë vënë interesin e tyre personal dhe të Sali Berishës, përpara interesit të demokratëve.

Ecin me parimin se kush nuk është me mua, shpallet kulak, e keni parë sulmin që i është bërë kryetarit në detyrë Enkelejd Alibeaj. Raporti i DASH konfirmon kauzat tona, përdorimi i shtetit për të tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve, përdorimi i burimeve njerëzore për shantazhimin e votuesve.

Në këtë moment PD dhe demokratët, duhet të mbrojnë interesat më të mira të shqiptarëve, duke insistuar që përgjegjësi kryesor Edi Rama të mbahet përgjegjës, edhe në kuptimin politik të fjalës, jo vetëm ligjor. PD e nisi këtë sezon parlamentar me disa nisma shumë të mira, ne duhet të jemi në ballë të aksionit për vetingun e politikanëve, është pushtuar në mënyrë të paligjshme selia e PD-së, hapësira mediatike është e mbushur me 3 figurat e tranzicionit, askush nuk flet për rritjen e çmimeve”, tha ai.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *