Këto janë disa nga ngjarjet, njerëzit dhe datat më me ndikim në histori botërore të cilat janë shënuar ditën e sotme, 15 prill.
15 prill 1452
Leonardo da Vinci – piktor, skulptor, shkencëtar vizionar, dijetar, arkitekt, muzikant, matematikan, inxhinier, shpikës, anatomist, gjeolog, hartograf, botanist, dhe shkrimtar italian me famë botërore, erdhi në jetë në Anchiano të qytezës Vinci. Gjenia e këtij njeriu të kuriozitetit të pashuar dhe imagjinatës së ethshme krijuese është e pakrahasueshme edhe sot. Leonardo konsiderohet gjerësisht si një nga piktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe ndoshta personi me talentin më të gjithanshëm që ka jetuar ndonjëherë. Krahas shpikjeve të tij përtej epokës në të cilën jetonte, Da Vinci ka lënë gjurmë të thella në periudhën artistike dhe kulturore të Rilindjes me dy kryevepra të pikturës si “Mona Lisa” dhe “Darka e Fundit”.
15 prill 1882
Charles Robert Darvin ishte një natyralist anglez, pjestar i Royal Society, i cili themeloi teorinë e evolucionit sipas së cilës të gjitha krijesat zhvillohen me kalimin e kohës e publikuar në librat e tij. Sipas tij zhvillimi i krijesave të gjalla që ndanin midis tyre të njëjtin paraardhës, ishte rrjedhojë e një procesi të quajtur Seleksionimi natyror (përzgjedhja natyrore). Evolucioni dhe seleksionimi natyror ishin një ide shumë përparimtare për kohën dhe pavarësisht nga kritikat dhe debatet e shumta mbi të, shumë shkencëtarë dhe njerëz të thjeshtë të kohës e pranuan atë si fakt. Megjithatë vetëm me themelimin e Sintezës Moderne Evolucioniste nga vitet 1930 deri më 1950, u pranua se selektimi natyror ishte mekanizimi bazë i evolucionit. E thënë ndryshe zbulimi shkencor i Darvinit është teoria bashkuese e shkencës natyrore duke shpjeguar diversitetin (larminë) e gjallesave.
15 prill 1912
Anija transatlantike “Titanik”, e cila filloi udhëtimin e parë me 2.340 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit në bord, u fundos 2 orë e 40 minuta pasi u përplas me një ajsberg në jug të ishullit Njufaudlend. Në këtë ngjarje tragjike humbën jetën 1mijë e 513 njerëz. Titaniku ishte anija më e madhe e asaj kohe.
15 prill 1923
Për herë të parë Insulina vihet në dispozicion për përdorim të gjerë nga njerëzit me diabet. Insulina ishte zbuluar në vitin 1922 dhe sot përdoret çdo ditë në trajtimin e diabetit. Ajo nxirret nga pankreasi e deleve, lopëve dhe me mënyra të tjera, përfshi syntetizimin në laborator. Insulina – hormon natyral i prodhuar nga pankreasi- është jetik për metabolizmin e karbohidrateve në trup. Një sipër bollëk i insulinës në organizëm shkakton shumëllojshmëri simptomash, përfshi gjendje kome.
15 prill 1998
Pol Poti, kryeministër i Kamboxhias si lider i Kmerëve të Kuq, vdiq më moshën 72-vjeçare. Gjatë pushtetit të Pol Potit, i lindur si Saloth Sar, Kmerët e Kuq kryen një prej gjenocideve më të mëdha të historisë së njerëzimit. Ata janë përgjegjës për torturën dhe vrasjen e rreth 1 milion e 700 mijë bashkëkombësve kamboxhianë.