Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë publike dëmin ekonomik të të ardhurave të munguara në Buxhetin e Shtetit ku flitet për një vlerë rreth 740 milionë dollarë. Ky konstatim vjen nga 158 auditime të kryera në 205 institucione në 2021. Shifra është zbardhur në raportin e punës së këtij institucioni për vitin 2021 i sapo depozituar në Kuvend.
Pjesa më e madhe e e kësaj shume i takon efekteve negative e të ardhurave të munguara në buxhetin e shtetit, që prekin shumën totale prej 55.4 miliardë lekësh, afërisht 550 milionë dollarë. Pjesa tjetër prej 19.1 miliardë lekësh, apo afërisht 190 milionë dollarë është konstatuar në formën e pastër të dëmit ekonomik.
Pjesa më e madhe e dëmit të konstatuar i përket abuzimeve me shpenzimet buxhetore, ku pjesa më e madhe e dëmit ekonomik është zbuluar në fushën e investimeve. Për shkak të abuzimeve në investime, të ardhurat e munguara në buxhetin e shtetit vlerësohen nga KLSH në një total prej 25.2 miliardë lekësh, apo rreth 250 milionë dollarë. 2.4 miliardë lekë, apo rreth 24 milionë dollarë efekte negative në arkën e shtetit, janë konstatuar me shpenzimet që lidhen me pagat e shpërblimet e administratës publike, ndërkohë që nuk mbeten pas as dëmet ekonomike në fushën e shpenzimeve operative, ku totali arrin në 1.3 miliardë lekë, afërisht 13 milionë dollarë.
Por nuk mbeten pas as treguesit e dëmit në arkën e shtetit kur vjen fjala te grumbullimi i të ardhurave, totali i të cilave arrin në 28 miliardë lekë, afërisht 280 milionë dollarë. Përmes abuzimeve në doganave është shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 150 milionë dollarësh, në keqadministrimin e pronës publike të radhurat e munguara vlerësohen në rreth 140 milionë dollarë, ndërsa në fushën e tatimeve, afërisht 70 milionë dollarë.