Ditën e sotme ministri i Brendshëm dhe drejtori i policisë së Kosovës njoftuan se në kufirin Serbi-Kosovë kanë ndodhur katër sulme brenda tri ditëve, ndaj policëve në veri të vendit.
Sakaq, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i analistit politik Blerim Latifi, duke ironizuar me një deklaratë të kryeministrit Edi Rama, duke thënë se armatosja e Serbisë nuk paraqet shqetësim, sepse po e bën për vetëmbrojtje.
“Katër sulme të armatosura mbi policinë e Kosovës në kufirin verior me Serbinë brenda tri ditësh. Informatat thonë se sulmuesit kanë shtënë nga territori serb, por, siç do të thoshte Edi Rama, s’ka nevojë për shqetësim, sepse edhe këto sulme duhet të shihen në kuadër të vetëmbrojtjes së Serbisë”, shkruan Latifi.
Kujtojmë se pas sulmit, policia është shprehur se ky atentat është kryer për shkak të mbylljes së rrugëve ilegale në kufirin me Serbinë, të cilat përdoreshin për kontrabandë dhe vepra penale të tjera.