11 persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës, të dyshuar për vepra të ndryshme penale.
Ndërkohë që Policia ka shpallur në kërkim dhe një administrator kompanie ndërtime dhe një drejtues teknik punimesh, për shkak se në një godinë në ndërtim e sipër, humbi jetën dje një punëtor, i cili nuk figuronte i punësuar në mënyrë të ligjshme prej tyre.
Njoftimi i policisë:
Vihen në pranga 11 shtetas dhe procedohen penalisht 8 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. B., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Gjithashtu bënë shpalljen në kërkim të shtetasve: B. B., 64 vjeç, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
A.A., 62 vjeç, administrator i një firme ndërtimi dhe L. A., 29 vjeç, me detyrë drejtues teknik, të dy banues në Lushnjë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Punësimi i paligjshëm”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi:
Më datë 15.04.2022, në Kashar, duke punuar në objektin në pronësi shtetasve R. B. dhe B. B., në të cilin po kryheshin ndërtime pa leje, për shkak të shkeljes së rregullave të sigurisë në punë, ka rënë nga lartësia dhe si pasojë ka ndërruar jetë shtetasi F. N., 58 vjeç, i punësuar në mënyrë të paligjshme nga shtetasit A. A. dhe L. A., të cilët fshihnin të ardhurat nga kjo veprimtari.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. B., 27 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. B., 27 vjeç, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, pasi gjatë kontrollit të dokumenteve nga punonjësit e Qarkullimit Rrugor, ka paraqitur një dokument shëndetësor të dyshuar të falsifikuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë ndalimin e shtetasit A. E., 23 vjeç, shpallur në kërkim për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë ndalimin e shtetasve: K. Sh., 33 vjeç, pasi dyshohet se ka vjedhur në banesën në pronësi të shtetases E. H.; K. S., 42 vjeç, pasi dyshohet se ka vjedhur pasqyrat e automjetit në pronësi të shtetasit I. S.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. H., 58 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj motrës së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë kapjen e shtetasit I. C., 48 vjeç, pasi Gjykata e Apelit Tiranë, e ka dënuar me 2 muaj burgim, për veprën penale “Kryerja e veprimeve arbitrare”.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: B. Z., 67 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin e tij, ka aksidentuar shtetasin e mitur K. M., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve; S. Ç., 28 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin e tij, pa leje drejtimi; R. S., 37 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin e tij, në gjendje të dehur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 proceduan penalisht shtetasit G. T., 31 vjeç, dhe R. T., 26 vjeç, për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, pasi për motive të dobëta kanë goditur me grushte njëri-tjetrin.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 proceduan penalisht shtetasin R. O., 23 vjeç, për veprën penale “Kanosja”, pasi për motive të dobëta, ka kanosur shtetasin E. A., 23 vjeç.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vorë proceduan proceduan penalisht shtetasin L. P., 18 vjeç, dhe 4 shtetas të mitur të moshave 16 dhe 17 vjeç, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, pasi për motive të dobëta, kanë goditur me grushte dy bashkëmoshatarët e tyre.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.