Termocentrali i Vlorës, me kapacitet të instaluar 98 MW, mbetet vepra e vetme e ndërtuar në kuadër të diversifikimit, i cili nuk ka punuar asnjë ditë për shkak të problematikës me sistemin e ftohjes.
“Edhe gjatë vitit 2021, shoqëria TEC Vlora sh.a., ka kryer aktivitetin e saj në lidhje me konservimin e asetit gjenerues, i cili nuk është në gjendje pune, për shkak të problematikave të shfaqura që nga viti 2012” raportoi ERE.
Kostoja e prodhimit të energjisë nga ky termocentral vlerësohej jashtëzakonisht e lartë, por ai u ndërtua si një vepër alternative që do të furnizonte një pjesë të vendit në kushtet e një situate të jashtëzakonshme. Tentativat e qeverisë për ta dhënë me koncesion këtë vepër nuk rezultuan të suksesshme, ndërkohë që tashmë ka një përpjekje që ky TEC të kalojë në prodhim me gaz të energjisë. Kjo alternativë erdhi pas nënshkrimit të një marrëveshjeje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mes Ministrisë
së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanive Amerikane, Exxon Mobil dhe Excelerate Energy, për vlerësimin e kuadrit rregullator teknik dhe komercial të futjes së Gazit Natyror të Lëngët (GNL) në Shqipëri.
Sipas ERE-s po studiohet mundësia e ndërtimit të një Terminali Rajonal në Gjirin e Vlorës, i cili do t’i shërbejë jo vetëm për vendosjen në punë të TEC Vlora (kapaciteti aktual plus kapacitet shtesë i cili është në fazë studimi fizibiliteti) por gjithashtu do të shërbejë potencialisht si një burim alternativ furnizimi me gaz për tubacionin Fier – Vlorë – Fier. Ky terminal do të shërbejë gjithashtu për zhvillimin e mëtejshëm të tregut të gazit në Shqipëri, nëpërmjet shpërndarjes në zonën e Jugut.
“Marrëveshja përfshin zinxhirin e plotë, duke nisur nga konvertimi i TEC Vlorë me GNL, tek ndërtimi i një terminali të ri gazifikimi, duke shndërruar kështu Vlorën në pikë rajonale shpërndarëse.
Marrëveshja për TEC Vlora, ndër të tjera do të garantojë edhe sigurinë e furnizimit me energji, e cila është e nevojshme së paku për një burim të besueshëm për prodhimin e energjisë elektrike dhe termocentrali i Vlorës është konsideruar prej një kohe të gjatë si një burim i tillë” – thuhet në dokumentin e ERE.
Pavarësisht rëndësisë që ka një projekt si ky për diversifikimin, fakt është që ende jemi larg konkretizimit.
Dy anije në Triport për të prodhuar energji, pak detaje mbi aspektet financiare
Pak muaj më parë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare hapi një procedurë ku kërkonte marrjen me qira të aseteve termike për prodhim energjie, si një alternativë që do të plotësonte konsumin në vend në kushtet e krizës globale. Vetëm pak ditë më parë, KESH dhe Albgaz njoftuan se procedura ishte mbyllur dhe fitues ishte bashkimi i kompanive Exelerate Energy and Renco s.p.a.
“Me mbështetjen edhe të ambasadores së SHBA-së por edhe kompanisë Exelerate e cila punon sot për projektin e TEC Vlorës kemi arritur një marrëveshje për të marrë me qira dhe për të ankoruar në Triport në Vlorë dy anije prodhuese të energjisë, të cilat do të ofrojnë këtë shërbim derisa TEC-i i Vlorës të vendoset në punë.
Janë TEC-e lundruese. Këtu nisim fazën e parë të TEC Vlorës, pasi kjo do të na garantojë që edhe gjatë periudhës së verës të kemi pavarësi energjetike që do të prodhohet nga ato anije, sigurisht e kufizuar, por edhe e misheluar (shkrirë) me kaskadën, importet afatgjata që kemi vendosur, por edhe shkëmbimin energjetik” – tha ministrja Balluku në mbledhjen e Komitetit të Energjisë.
Kreu i Albgaz, Arbër Avrami, dha gjithashtu disa detaje, duke nënvizuar se kapaciteti i dy anijeve që do të jenë të stacionuara në zonën e Triportit është 114 MWh.
“Sigurisht që kjo kontratë do të zgjasë për dy vjet, do të përdoret në rastet emergjente. Vënia në funksion e këtij plani do të kërkojë disa hapa dhe ndërhyrje në infrastrukturë dhe shpresojmë që makineritë të vihen në punë brenda tre muajve që përkon me periudhën e verës. Kemi besim se kjo zgjidhje i jep vendit një zgjidhje me një çmim më konkurrues sesa Bursa”- tha Avrami.
Pavarësisht deklaratave mbi këtë lëvizje “pozitive”, askush nga qeveria nuk u kujdes të jepte detaje financiare mbi kostot që do të ketë prodhimi i energjisë nga këto TEC-e lundruese, sa do të jetë qiraja e tyre dhe sa do të na kushtojë 1 MWh energji./Monitor