Bashkimi Evropian është ofruar të ndajë një ndihmë humanitare prej 50 milionë eurosh për të mbështetur personat e prekur nga pushtimi rus në Ukrainë, tha Komisioni Evropian.
Bëhet me dije, se kjo paketë do të përfshijë 45 milionë euro për projektet humanitare në Ukrainë dhe 5 milionë euro për Moldavinë fqinje. Ndonëse, asnjë nga dy vendet nuk është anëtar i BE-së.
Ndërkohë, sipas deklaratës fondet do të përdoren për të “adresuar nevojat më urgjente humanitare duke ofruar shërbime mjekësore emergjente, akses në ujë të pijshëm dhe higjienë të sigurt, strehim dhe mbrojtje, ndihmë në para dhe mbështetje kundër dhunës me bazë gjinore”.
“Me miliona njerëz në lëvizje ose të bllokuar në zonat aktive të luftës, nevojat në Ukrainë janë tashmë masive. Tani, ne duhet të jemi të përgatitur për një rritje të mëtejshme të sulmeve të pamëshirshme të Rusisë ndaj Ukrainës, veçanërisht në lindje”, tha komisioneri i BE-së për menaxhimin e krizave, Janez Lenarçiç.
“Paratë do të ndihmojnë njerëzit në zonat e vështira për t’u arritur, të cilëve u është ndërprerë aksesi në kujdesin shëndetësor, ujë dhe energji elektrike, dhe ata që janë detyruar të ikin dhe të lënë gjithçka pas”, tha ai duke shtuar:
“Ukrainë, ne jemi me ty”.
BE deri më tani ka vënë 143 milionë euro për ndihmën humanitare në Ukrainë. Ky financim është pjesë e paketës së mbështetjes prej 1 miliard € e premtuar nga Komisioni Evropian në fillim të këtij muaji.