Këtë të dielë Kreu i Kadastrës Artan Lame dhe zëvëndës kryeministri Arben Ahmetaj, kanë qënë në Vlorë pasi kanë zhvilluar një takim midis qytetarëve ku dhe kanë shpërndarë lejet e legalizimit për 3 pallate.
Por gjatë ndarjes së lejeve nuk kanë munguar edhe batutat ku Ahmetaj ka thënë se njëri prej atyre që do të përfitonte lejen kishte njohje edhe më përpara, për shkak se ai ka qenë mik me babain e tij. “Unë dhe Memo kemi histori të veçantë. Jo unë në fakt. Babai im. Kanë qenë shokë. Edhe unë sot kam shumë shok djalin e Memos”, tha Ahmetaj.
Në atë moment ka ndërhyrë Lame ku dhe ka i është drejtuar Ahmetajt se kjo ka qenë arsyeja pse ai këmbëngulte aq shumë për përfundimin e këtyre pallateve. “Tani e mora vesh pse më thojë vazhdimisht çfarë u bë me ato dy pallatet. Se paske pasur mikun brenda”, u shpreh Lame duke shkaktuar dhe të qeshura. “Por Memo që ta dish ti s’ë ka thënë kurrë”- tha Ahmetaj duke qeshur. Gjatë takimit Ahmetaj theksoi se ka nisur një punë shumë e mirë për digjitalizimin e dokumentacionit dhe të arkivave, ndërsa nënvizoi se për 16 muaj do të ketë mbaruar digjitalizimi i hartave për bregdetin e më pas do të vijojë puna për qytetet e tjera. “Kemi filluar një punë shumë të mirë të gjithë digjitalizimit të dokumentacionit dhe të gjitha arkivave. Paralel fillon edhe digjitalizimi i hartave. Është hera e parë që bëhet. Është shtysë e vazhdueshme e kryeministrit. Për 16 muaj do kemi mbaruar me pjesën e bregdetit nga veriu në jug dhe pastaj do nisë më qytetet e tjera.
Kjo do i japë fund rrëmujës që trashëguam ne. Është duke u bërë revolucion në këtë institucion. Ka shumë për t’u bërë me shërbimin, me cilësinë. Kur morën këtë punë gjetëm 17 mijë legalizime. Sot janë mbi 220 mijë. Janë 220 mijë familjarë që kanë në dorë pronën e tyre ligjërisht që e gëzojnë dhe ta trashëgojnë përjetë”, tha Ahmetaj.