40 sekonda heshtje… një kohë e pafundme në televizion. Nëpër rrjetet sociale vazhdojnë të qarkullojnë pamjet e Papa Françeskut që nuk i përgjigjet pyetjes së fundit të gazetares së RAI, Lorena Bianchetti në fund të intervistës së transmetuar në programin e Raiuno “A sua immagine” mbrëmjen e së premtes përpara ceremonisë së “rrugëtimit të kryqit”.
“Shenjtëria juaj, është gati ora 3. Si duhet ta jetojmë këtë kohë sot?” – pyeti gazetarja, por Papa uli shikimin. Dukej sikur po mendohej. Në fund ngriti sytë dhe buzëqeshi si për të thënë: “Ja ku jam”.
Në të vërtetë nuk mund të kishte një përgjigje më elokuente. Ora 3 pasdite është momenti i vdekjes së Jezusit.
“Nga ora e 6 u bë errësirë në të gjithë tokën deri në orën e 9” – shkruhet në Ungjillin e Mateut. Dhe “ora e nëntë” përkon me orën 3 pasdite, momenti kur Jezusi bërtiti përpara se të vdiste: “Perëndia im! Perëndia im, pse më ke braktisur?”. Biblicistët dhe teologët bien dakord në shpjegimin se mishërimi i Jezusit arrin thellësitë e vuajtjes: deri në heshtjen e Zotit.
“Përballë vdekjes, heshtja është më elokuente se fjalët. Prandaj le të ndalemi në heshtje lutjeje. Secili le të lutet në zemrën e tij për paqen e botës” – u shpreh Papa në mbrëmje. Ndonjëherë nuk ka fjalë, si përballë dhimbjes së pafajshme.
Dikur Papa Françesku ka shkruar: “Heshtja është gjithashtu gjuha e Zotit dhe është gjithashtu gjuha e dashurisë, siç shkruan Shën Agustini: Nëse heshtni, heshtni për dashurinë, nëse flisni, flisni për dashurinë”.