Këto janë disa nga ngjarjet, njerëzit dhe datat më me ndikim në histori botërore të cilat janë shënuar ditën e sotme, 18 prill.
18 Prill 1506
Vendoset gur-themeli i bazilikës së tanishme të Shën Pjetrit në Romë. Bazilika e parë e Shën Pjetrit ishte ndërtuar nga perandori Konstandin në shekullin e katërt, por deri në fund të shekullit të 15-të ajo thuajse ishte rrënuar. Të pranishëm në vendosjen e gurit të parë ishin disa nga figurat kryesore të Rilindjes italiane; si Cesare Borgia, Niccolo Machiavelli, dhe tre papë të ardhshëm. Gropa e hapur ishte shumë e thellë dhe papa Julius, 63 vjeç, iu desh të zbriste poshtë me shumë kujdes për të lënë atje një kuti prej mermeri ku ishin mbyllur hermetikisht 12 medaljonë, simbole për 12 apostujt. Në njërën anë të medaljonit ishte imazhi i papës dhe në anën tjetër pamja e Bazilikës së re. Ndërtimi zgjati 120 vjet dhe Bazilika u përurura më 18 nëntor 1626.
18 Prill 1590
Ahmet i parë – sulltani i 14-të i perandorisë osmane – jep urdhër për ndërtimin e një xhamije në Stamboll. Xhamia Ahmet është një xhami historike dhe njihet gjerësisht si Xhamia Blu për pllakat blu që zbukurojnë muret e brendshme të saj. Sulltani ishte shtyrë jo vetëm nga dëshira për të lënë pas një xhami perandorake me emrin e tij, por edhe për të ndërtuar një monument që do të rivalizonte Hagia Sofian e ndërtuar nga të krishterët. Aq e madhe ishte ambicia e sulltanit sa nuk lejonte asnjë gabim; madje i preu kokën arkitektit të parë, dhe zgjodhi më pas një tjetër, Mehmet agën, i cili kishte qenë nxënës i arkitekt Sinanit, i njohur si gjeniu shqiptar i arkitekturës. Xhamia e Ahmetit përfundoi pas 6 vjetësh, dhe sot e kësaj dite mbetet një nga shembujt më të mirë të arkitekturës klasike osmane. Mes zbukurimeve të brendshme të Xhamisë Blu përfshihen edhe vargje nga Kurani, të shkruara nga Seid Gubari, i njohur si kaligrafisti më i mirë i asaj periudhe.
18 Prill 1663
Perandoria Osmane i shpall luftë perandorisë austriake të Habsburgëve. Turqit pothuajse morrën Vjenën – madje disa forca arritën të futeshin brenda në qytet – por një aleancë ushtarake e krishterë arriti t’i zmbrapsë, duke prerë vrullin osman drejt Evropës perëndimore.
18 Prill 1902
Danimarka bëhet vendi i parë që miraton përdorimin e gjurmëve të gishtrinjve për të identifikuar kriminelët.
18 Prill 1904
Botohet numri i parë i gazetës komuniste franceze L’ Humanite, nga Jean Jaures. Gazeta tani është e pavarur, edhe pse vazhdon të mbajë lidhje të ngushta me Partinë Komuniste të Francës.
18 Prill 1906
Tërmeti i madh në San Francisko shkakton vdekjen e më shumë se 500 personave, përveç shkatërrimeve dhe një zjarri masiv.
18 Prill 1934
Hitleri emëron Ribbentropin në postin e shefit të çarmatimit.
1958 – Një gjykatë federale ne Shtetet e Bashkuara vendos se poeti Ezra Pound duhet të dalë nga spitali i çmendinës. ku ishte mbajtur për 12 vjet. Por a kishte qenë poeti i çmendur? Një historian dhe një psikiatër, në mënyrë të pavarur, sjellin një pamje të re të rrethanave që çuan në izolimin e Ezra Poundit në spital dhe mos nxjerrjen në gjyq për tradhti. Pound (1885 – 1972) ishte poeti amerikan që transmetoi në radio propagandë për Italinë fashiste gjatë luftës dhe më pas u mbajt në rrethana të rehatshme në Spitalin e çmendinës St Elizabeth në Uashington 1946-1958; me sa duket për shkak se ishte i çmendur – në të vërtetë ishte mjaft racional për t’u gjykuar për tradhti, sipas Stanley Kutler, Profesor i Institucioneve amerikane në Universitetin e Wisconsiit. Profesor Kutler shkruan se Pound, ishte fashist amerikan, tradhtar dhe antisemit – i cili me ndihmën e një inspektori spitali në St Elizabeth, mashtroi zyrtarët e qeverisë që kërkonin ta ndiqnin penalisht për ndihmën dhënë armikut në kohën e luftës. Por vetë Ezra ç’do të thoshte po të ishte gjallë? Kjo nuk dihet, por në një rast diku ka shkruar: “Askush nuk mund të kuptojë diçka nëse nuk ka parë dhe jetuar të paktën një pjesë të saj.”
18 Prill 1968
Ura e Londrës iu shit një amerikani, i cili e çmontoi, i transportoi copat në SHBA, dhe e rindërtoi urën në Arizona.
18 Prill 1969
Melina Merkuri krijon Fondin e ndihmës greke, ndërsa Greqia ndodhej nën diktaturë. Emri i saj ishte Maria Amalia Merkuri, lindur më 1920 në Athinë, në familje arvanitase, ishte aktore, këngëtare dhe politikane; fituese në Festivalin e Filmit në Kanë; kandidate për Çmimin Oskar; marrëse e çmimit Tony për muzikë dhe 3 herë Golden Globe në SHBA; aktiviste politike gjatë juntës ushtarake 1967-1974; anëtare e Parlamentit në vitin 1977 dhe ministre e Kulturës më 1981, e para ministre grua në Greqi.
18 Prill 1978
Senati voton për t’i kthyer Panamasë Kanalin më 31 Dhjetor 1999. Kanali i Panamasë, që lidh dy oqeanet, Atlantik e Paqësor, ishte një ide gjermane, filloi nga francezët dhe përfundoi nga amerikanët, u përurura nga presidenti Woodrow Wilson më 1914.
18 Prill 1992
Rusi – Vdiq në Shen Peterburg, në moshën 80 vjeçare, albanologia e njohur ruse Agnija Desnickaja. Ajo u shqua në fushën e studimeve krahasuese të gjuhëve indo-evropiane. Prej viteve 1950, kjo shkencëtare iu përkushtua gjuhëve ballkanike, veçanërisht shqipes; që, sipas Robert Elsiet, e bëjnë Desnickajën themeluesen e studimeve albanologjike në Rusi. Fatkeqësisht, lidhjet e saj me studiuesit në Shqipëri u ndërprenë më 1961, kushtëzuar nga prishja e marrëdhënieve sovjeto – shqiptare, ndërsa puna e saj mbi shqipen u shpërfill plotësisht në Shqipëri, për shkaqe politike, gjatë gjithë viteve 1970 – 1980. Kjo ishte periudha kur librat e Agnija Desnickajas panë dritën e botimit në Prishtinë; p.sh., “Gjuha shqipe dhe dialektet e saj” (1972) apo “Letërsia shqipe dhe Gjuha shqipe” (1987) FESH.