Teksa jemi pak ditë larg përfundimit të mandatit të presidentit Ilir Meta, partia e tij, Lëvizja Socialiste për Integrim ka nisur të lëvizë në bazën e saj.
Kujtojmë që edhe pse presidenti në Shqipëri ka të drejtën e dy mandave, ky nuk është rasti i Metës, pasi i futur në një “luftë” me mazhorancën e cila për fatin e tij të keq ka shumicën për herë të parë në Kuvend, i “fshin” shanset presidentit aktual për një mandat të dytë.
Gjendur në këtë situatë, dhe një vit larg zgjedhjeve vendore, partia e themeluar nga Meta dhe e drejtuar momentalisht nga bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, ka nisur të lëvizë duke thirrur Konventën Kombëtare për riorganizimin e të gjithë strukturave për zgjedhjet e ardhshme.
Nëpërmjet një konference për shtyp të Sekretarit të Përgjithshëm Endrit Braimllari, është informuar publikun për këtë vendim të rëndësishëm.
Njoftimi
Përshëndetje!
Të dashur qytetarë dhe qytetare, të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, jemi në këtë komunikim me mediat për të informuar opinionin publik për një vendim të rëndësishëm.
*Në respekt të statutit të LSI-së pika 11.28, gërma B do të mbahet Konventa Kombëtare e LSI në datë 25 korrik 2022 e thirrur nga kryetarja e saj. Konventa do të jetë një moment historik për LSI dhe opozitën shqiptare në tërësi, për të ardhmen e përballjes pa asnjë kompromis me regjimin e rilindjes për të hapur një epokë të re të një Shqipërie të çliruar nga krimi, korrupsioni dhe kapja e shtetit.
Konventa Kombëtare do të marrë vendime shumë të rëndësishme politiko-organizative që lidhen me aksionin politik të zgjedhjeve vendore të vitit 2023. Gjithashtu do të thellohet procesi i brendshëm zgjedhor lidhur me ngritjen e strukturave drejtuese të LSI, proces ky i penguar prej kushteve të pandemise gjatë vitit 2020.
Në kuadër të organizimit të Konventës Kombëtarë të LSI që do të mbahet më 25 korrik është ngritur ekipi qëndror i punës për përgatitjen e programit politik dhe ndryshimet statutore në statutin e LSI.
Në kuadër të këtij organizimi, ngarkohen të gjithë drejtuesit politikë në qarqe, delegatët e Konventës Kombëtare të marrin masa për organizimin e struktrurave të LSI. Strukturat e LSI do të identifikojnë me shumë prioritet problemet e pafundme që qytetarët kanë në raport me qeverisjen qendrore dhe lokale për t’i bërë ato pjesë të aksionit politik dhe sidomos të programit elektoral për zgjedhjet e vitit 2023.
Në këtë proces intensiv riorganizimi do të jenë edhe grupet e punës për riorganizimin e strukturave të Lëvizjes së Gruas për Integrim dhe Lëvizjes Rinore për Integrim të cilat do të kenë një rol më të rëndësishëm në organizimin, funksionimin dhe vendimmarrjen e LSI.
Qytetarët kërkojnë një opozitë e cila përballet pa asnjë kompromis me regjimin rilindas, një opozitë e cila ka mbi çdo gjë interesin public, një opozitë që denoncon korrupsionin, krimin dhe trafiqet, një opozitë që bën çdo sakrificë për qytetarët.
Konventa e 25 korrikut, do të jetë moment historik për formësimin e një opozite të tillë që ngre shpresën optimizmin e qytetarëve dhe që u rrit kurajon atyre për t’u përballur me regjimin por dhe u ngjall shpresën për ta ndërtuar jetën e tyre dhe të ardhmen në Shqipërinë./Priza.al