A mund të arrestohet kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu nëse vjen në Gjermani? Për këtë çështje ka shpërthyer një mosmarrëveshje e madhe.
Një javë më parë Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë e vuri qeverinë gjermane para një dileme të madhe: Gjykata lëshoi urdhër arresti kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministritizraelittë Mbrojtjes të shkarkuar së fundmi, Joav Galant. Arsyeja: Të dy dyshohen për krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës. Që nga themelimi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale në vitin 2002, Gjermania ka qenë një nga 124 shtetet nënshkruese dhe konsiderohet si mbështetëse e vazhdueshme e saj. Por si rezultat i gjenocidit ndaj hebrenjve evropianë gjatë epokës naziste, Gjermania është një aleate e ngushtë e Izraelit.
Barenboim: “Jeta e pamundur në Gaza”
Të premten disa ekspertë në Berlin e përshkruan vendimin e Hagës si një thirrje zgjimi edhe për qeverinë federale. Ajo gjithmonë theksonte se qeveria izraelite kishte të drejtë të mbrohej duke përdorur mjete të ashpra pas sulmit terrorist në tetor 2023.
Christine Binzel, profesoreshë e ekonomisë dhe shoqërisë në Lindjen e Mesme në Universitetin e Erlangen-Nurnberg, thotë se Gjykata Ndërkombëtare Penale ka denoncuar vazhdimisht veprimet e Izraelit. Megjithatë, Gjermania refuzoi të mbështesë Gjykatën: “Gjermania nuk e ka përmbushur këtë detyrim për 14 muaj. Gjermania nuk është vetëm vëzhguese, por qeveria federale vazhdon të mbështesë Izraelin politikisht, financiarisht, ushtarakisht dhe ligjërisht edhe sot e kësaj dite. Gjermania është furnizuesi i dytë më i madh me armë pas SHBA-së”.
Michael Barenboim, muzikant dhe profesor në Akademinë Barenboim-Said, shton: “Që nga fillimi i tetorit 2024, Izraeli e ka vendosur veriun e Gazës në një gjendje të plotë rrethimi, duke e bërë të pamundur jetën njerëzore atje.”
Çfarë do të ndodhë nëse Netanjahu viziton Berlinin?
Që nga vendimi i Hagës, qeveria federale është fokusuar në një çështje tjetër: Çfarë do të ndodhë nëse kreu i qeverisë së shtetit mik të Izraelit do të vinte tani për vizitë në Berlin? Gjyqësia gjermane do të duhej të arrestonte Netanyahun. Një vizitë e tillë nuk është planifikuar që kur milicia terroriste Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar. Vizita e tij e fundit në Berlin ishte në mars të vitit 2023.
Zëdhënësi i qeverisë: Arrestimi vështirë i paramendueshëm
Një javë më parë, zëdhënësi i kancelarit Olaf Scholz, Steffen Hebestreit, tha se Gjermania duhet t’i marrë parasysh të dyja: solidaritetin me Izraelin si shtet dhe mbështetjen për të drejtën ndërkombëtare. “Nga njëra anë, është rëndësia e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, të cilën ne e kemi fuqimisht. Dhe nga ana tjetër, rëndësia historike dhe përgjegjësia për Izraelin. Unë e kam vështirë të imagjinoj që ne të kryejmë arrestime në Gjermani mbi këtë bazë. Në këtë pikë, edhe ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock tha se qeveria duhet të shqyrtojë me kujdes procesin.
Baza juridike për arrestim
Por Baerbocktani tingëllon pak më ndryshe: “Qeveria federale i përmbahet ligjit, sepse askush nuk është mbi ligjin,” tha politikanja ekologjiste në margjinat e një takimi të ministrave të jashtëm të G7 në Fiuggi të Italisë. Për më shumë: “Në Gjermani zbatohet pavarësia e gjyqësorit, e cila në këtë rast ka arritur në përfundimin se ka prova të mjaftueshme që ajo të ndërmarrë këtë hap tani”.
Sipas disa politikanëve gjermanë, një rrugëdalje nga situata e vështirë do të ishte: Gjykata Penale bëhet aktive vetëm nëse shteti në fjalë nuk mund të ndjekë ligjërisht politikanët e vet për krime. Prandaj, Gjermania duhet të punojë për të siguruar që pas përfundimit të luftës të zhvillohet një proces ligjor në Izrael, i cili mund të përfshijë edhe rolin e Netanyahut.
Kështu argumenton edhe kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në Bundestag, Michael Roth (SPD): “Gjykata Penale po humbet shumë nga besueshmëria e saj, sepse nuk merr masa kundër kriminelëve të luftës dhe diktatorëve si Bashar al-Assad. Por merr masa kundër kreut të qeverisë së një vendi me një gjyqësor të pavarur, ku ai mund të ndiqet penalisht”.