Në konferencën e tij për mediat nga Selia Blu, ish-kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur pyetjes nëse do të kandidojë për kryetar të PD dhe a i depozituar dokumentet.
Berisha tha se do të respektojë afatet, ndërsa shtoi se ai e ka deklaruar edhe më herët se do të jetë kandidat për kreun e PD.
Ndërkohë Berisha ftoi edhe deputetët që nuk ishin pjesë e Kuvendit të 30 prillit që të bëhen pjesë e garës jo vetëm për kreun e PD por edhe për kryesinë, duke thënë se çdo votë do të publikohet.
Mustafaraj: A e keni depozituar dokumentacionin për kandidaturën tuaj?
Berisha: Nuk i kam depozituar dokumentet, unë do të respektoj afatet e caktuara.
Mustafaraj: Pra do të kandidoni?
Berisha: Asgjë nuk them me këtë unë.
Mustafaraj: Ju thatë se ky ishte Kuvendi i bashkimit, ndonëse një pjesë e madhe e deputetëve nuk morën pjesë, a kanë shanse këta që të kandidojnë për kryetarë duke patur parasysh që ata që në fillim të procesit do të paragjykohen nga anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar?
Berisha: Deputetët pa përjashtim janë anëtarë të Këshillit Kombëtar. Ajo që mund të garantoj ata që çdo votë e anëtarëve e Këshillit Kombëtar do të tregohet para kamerave, njëlloj si votat e Kuvendi, transparenca është absolute, kështu që unë mendoj se kanë shumë arsye për të kandiduar nëse dëshirojnë. Do të ketë një proces më transparentin që ka parë kjo seli.