Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka folur për kushtet që duhet të plotësojnë partitë politike për të marrë fonde për fushatën elektorale.
Gjatë fjalës së tij në një prononcim për gazetarët, Celibashi theksoi se kjo do të përcaktohet pasi partitë të jenë regjistruar për zgjedhje dhe të kenë dorëzuar po ashtu emrat e kandidatëve për kryetarë bashkie dhe për anëtarë të këshillave bashkiakë.
Më tej ai ka sqaruar se fondi, nuk do të jetë më i vogël se 130 milionë lekë ndërsa thekson se kjo është një çështje që i takon Kuvendit.
Por, a do të përfitojë PD-ja fonde për fushatën e zgjedhjeve vendore?
Celibashi thekson se do të respektohet neni 180 i kodit zgjedhor për përcaktimin e zgjedhjeve që do të merren ne referim, për të përcaktuar se cilat parti do te marrin fonde, duke nënkuptuar se PD do të mund të përfitojë fondin.
“Do duhet të presim momentin kur të kemi numrin e partive të regjistruara dhe atyre që nxjerrin kandidatë për kryetar bashkia dhe për anëtarë për këshillat bashkiakë. Nëse PD, do përfitojë fonde apo jo, në fakt është një vendim që duhet marrë, por po u lexoj rregullin dhe ju e nxirrni vetë konkluzionin. Merr fonde ajo parti që ka marrë pjesë në zgjedhjet pararendëse. PD, nuk mori pjesë në ato zgjedhje. Praktikisht kushdo që e ka marrë pjesë në zgjedhje në 2015 dhe 2017, kualifikohet për të marrë fonde për fushatën. Është Kuvendi që vendos se sa para do vendosin për partitë politike. Ky fond nuk mund të jetë më i vogël se 130 mln lekë dhe kjo është çështje e Kuvendit. Do të respektohet neni 180 i kodit Zgjedhor, dhe mendoj se është e qartë”, tha Celibashi.