Ora 10:00 do të shënojë edhe nisjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike i thirrur nga më shumë se 4.500 delegatë. Organi më i lartë drejtues i demokratëve do të mbahet në stadiumin ‘Air Albania’ ku edhe priten një sere vendimmarrjesh, mes të cilave edhe shkarkimi i Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike.
Nga ana e organizatorëve është menduar që në qendër të fushës së stadiumit do jetë i vendosur një skenë ku ditën e sotme do mund të flasin figura politike që ndër vite kanë mbajtur pozicione të larta në qeveri si dhe detyra shtetërore, fjalime këto që do të kulmojnë me atë të ish-Kryeministrit Berisha.
Verifikimi i delegatëve të Kuvendit do të bëhet përmes bejxheve që kanë një barcode, ku përmes një pajisjeje me lazer do të tregohet prezenca e secilit anëtar dhe pozicioni përkatës. I gjithë ky proces do të shoqërohet për efekt transparence edhe me kamera, duke u shfaqur në një monitor. Në pjesën e poshtme të stadiumit do të jenë të ulur delegatët, ndërsa në pjesën e sipërme simpatizantët dhe anëtarët e Partisë Demokratike.
Nga ana tjetër, kryetari i PD-së ka ftuar në seli për të festuar ditëlindjen e partisë të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike, duke u parë kjo si një ‘sfidë’ karshi ish-kryeministrit Sali Berisha dhe mbledhjes së Kuvendit Kombëtar.
/Priza.al/