Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka bërë të ditur vendimin e miratuar sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Sipas ministres, me futjen e fiskalizimit, faturat do të jenë të deklaruara online dhe ligji ka një specifikë të përcaktuar për shërbimet online dhe faturat online. Ajo sqaroi se ato biznese që e kalojnë fashën prej 14 mln lekësh, do të futen në skemën e pagimit të taksave.
“Ka pasur një bum këtë këtyre kategorie subjektesh që tregtojnë online. Ne kemi ngritur një ekip që është në bashkëpunim me autoritetin që kontrollon tregtinë online dhe ka për qëllim të gjurmojë këto subjektet nëpërmjet metodave hetimore.
Me futjen e fiskalizimit faturat do të jenë të deklaruara online dhe ligji ka një specifikë të përcaktuar për shërbimet online dhe faturat online. Gjurmimi nuk bëhet vetëm përmes lëshimit të faturës, por bëhet edhe nëpërmjet transaksioneve bankare. Ka një task forcë që bën gjurmimin e subjekteve pa NIPT.
Ligji për taksat dhe për tatimet i ka të parashikuara të gjithë elementet që lidhen si me tregtinë fizike dhe me atë online. Kjo VKM që kalojmë ka të bëjë me shtimin e sigurisë së konsumatorit në momentin që kryen blerje dhe transaksione online. Nuk ka të bëjë me ndryshim të taksave dhe tarifave në dhënin e këtyre shërbimeve.
Bizneset kanë tarifat e tyre dhe ne nuk mund të përcaktojmë tarifat e shërbimit të transportit. Ato taksohen për qarkullimin e tyre dhe për të gjitha transaksionet. Nëse nuk e kalojnë fashën prej 14 mln lekësh ato nuk janë subjekt i tatim fitimit. Nëse kanë qarkullim më të lartë janë subjekt i tatim fitimit”, tha ministrja.
Deklarata u bë në përfundim të mbledhjes së qeverisë, ku ajo deklaroi se sot u miratua një ligj që ka të bëjë me shtimin e sigurisë së konsumatorit në momentin që kryen blerje dhe transaksione online.
“Vendimi që kaluam sot ka të bëjë me tregtinë elektronike, me atë online. Gjatë periudhës së pandemisë kemi pasur një rritje të fluksit të kësaj kategorie dhe pas pandemisë duket se konsumatorët janë mësuar me këtë formë dhe kanë vijuar ta përdorin.
Vendimi ka të bëjë me mbrojtjen e konsumatorit me disa saktësime të elementëve që duhet të kenë kontratat e këtij lloj tregtimi me qëllim që konsumatori kur blen një produkt online të jetë i mbrojtur. Ka të bëjë me saktësimin e periudhës së kthimit të mallrave që tashmë është 14 ditë. Nga dita që konsumatori merr mallin në shtëpi ka të drejtë 14 ditë që ta kthejë mbrapsht. Po ashtu ka një siguri më të lartë në shërbimet e pagesave”, tha ministrja Ibrahimaj.
/Priza.al/