A është ish-speciali i RENEA-s njeriu që vrau Kastriot Reçin? Gjykata e Lezhës lejon marrjen e ADN-së Remal Radës

Gjykata e Lezhës ka pranuar pranuar kërkesën e prokurorisë për të marrë kampionet e ADN-së së ish-efektivit të RENEA-s Remal Rada dhe shokut të tij Elton Hithi, të cilët u arrestuan pasi në makinën e tyre u gjet një snajper. Mostrat u janë marrë dy të dyshuarve ditën e sotme.

Burime për median bëjnë me dije se organi i akuzës në Lezhë kërkon që të krahasojë ADN-në me gjurmët e ADN-së së gjetur te snajperi që u përdor gjatë ekzekutimit të biznesmenit Kastriot Reçi në Rrëshen më 7 janar 2020. Prokuroria e Lezhës kërkon të krahasojë ADN-në e Radës dhe Hithit me atë që është marrë nga snajperi që u përdor për të vrarë Reçin.

Mostrat e ADN-së u janë marrë dy të dyshuarve në paraburgimin 313. Më herët është krahasuar dhe ADN-ja e një ish-speciali të RENEA-s. Dyshohet se  Preng Gjini e organizoi vrasjen e Kastriot Reçit, si hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij Armando Gjini. Fillimisht hetuesin besuan se snajperisti që ekzekutoi Reçin, ishte serb, por “Në shënjestër” mësoi se grupit i hetimit ka marrë në konsideratë edhe disa ish-pjesëtarë të forcave speciale, ku, një ish-pjesëtar i forcave të RENEA-s u shoqërua në polici, si i dyshuar, por ADN-ja e tij nuk rezultoi e përputhshme me AND-në e gjetur në rrobat e përdorura nga vrasësi.

Dosja Hetimore

“Nisur nga pamjet filmike u krijua dyshimi se viktima mund të jetë qëlluar nga një armë snajper.

Pas kësaj u orientuan shërbimet në terren duke përcaktuar të gjitha objektet e larta në afërsi të vendit të ngjarjes. Më i mundshmi u përzgjodh pallati 9 katësh që ndodhet në një distancë 150 metra larg vendit të ngjarjes. Shkuam në pallatin që përmendëm dhe përkatësisht në katin e nëntë, apartamenti nr.28 u gjet me derë të jashtme të hapur, me dorezë të thyer dhe me çelës të vendosur nga jashtë.

Në apartament u gjet një çantë, si ato që përdoren për mbajtjen e armëve dhe brenda saj u gjetën dy tapa plastike, si ato që përdoren për mbulimin e shënjestrës optike dhe një copë kanotiere e grisur”, thuhet në dosjen hetimore për vrasjen e Reçit. Shpejt grupi hetimor gjeti edhe armën e krimit, një snajper i modifikuar, snajper që do të rezultonte i vjedhur në Kosovë. Të paktën kështu rezultoi sipas dëshmisë së personit që e kishte pasur në posedim, në dëshminë që atij i ishte marrë nga prokuroria përmes letër porosisë. Por ajo që do të befasonte grupin hetimor, do të ishte veshja e snajperistit, i cili për t’u kamufluar kishte veshur një fustan dhe në kokë mbante një paruke, në dukje me një bisht pas koke.

Dosja hetimore

“Gjatë këqyrjes së territorit, 10 metra larg pallatit u gjet një armë zjarri pushkë me ngjyrë të zezë, me silenciator të vendosur në tytë dhe shënjestër optike të vendosur në trupin e armës.

Nga verifikimi i kamerave të sigurisë rezultoi se rreth orës 06:35 nga ana lindore e lokal ‘Europa’, afrohet një automjet fuoristradë ‘Mercedez-Benz’, në dukje ngjyrë gri, targat e së cilës nuk fiksohen. Makina ndalon tek hyrja e pallatit, ku nga dera e pasme e djathtë e saj zbret një person, në dukje mashkull i veshur me xhup ngjyrë të hapur, me kapele me strehë dhe me tuta ngjyrë të errët. Pasi zbret nga mjeti, nxjerr nga bagazhi një çantë në formë gjatësore, si ato që përdoren për të mbajtur armë të gjata. Më pas merr një çantë tjetër nga sedilja e pasme e makinës dhe me dy çantat në dorë niset drejt hyrjes së pallatit. Më pas automjeti largohet në drejtim të rrugës së tregut. Në orën 12:07 vërehet një person duke dalë me shpejtësi nga hyrja e pallatit, me flokë të gjata të lidhura bisht, në dukje paruke, me një fustan me ngjyrë të zezë dhe tuta poshtë fustanit. Ky person lëviz me shpejtësi në drejtim të rrugës që të çon tek tregu i fruta-perimeve./bw

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *