A është Shqipëria, tërheqëse për nomadët dixhitalë?

Axhenda dixhitale e Shqipërisë 2022-2026 përfshin detaje edhe për nomadët dixhitalë, për tërheqjen e tyre në vendin tonë. Ndërsa Shqipëria mund të synojë nomadët dixhitalë dhe punëtorët e huaj në distancë, kompleksiteti dhe mospërputhja e sistemit ka të ngjarë të largojë shumë njerëz…

Shqipëria është e famshme për plazhet, fshatrat ëndërrimtarë me kalldrëm dhe çmimet e lira, por kjo nuk është e gjitha. Vitet e fundit, është bërë edhe një pikë e njohur për nomadët dixhitalë, sipas një liste të një website botëror për këtë kategori, në mes të vendeve të tjera ballkanike, si Mali i Zi dhe Kroacia. Krahas kësaj, qeveria shqiptare i ka dhënë vëmendje pikërisht kësaj kategorie që po shtohet edhe në vendin tonë, nëpërmjet një drafti të përfshirë në Axhendën Dixhitale 2022-2026.

A është Shqipëria tërheqëse për nomadët dixhitalë? Momentalisht, një i huaj që do të punojë “on remote” në vend ka mundësi ta bëjë, gjithashtu është miratuar edhe një ligj për të huajt që punojnë, por ka specifika të tjera, ndër të cilat leja e punës.

Në një vështrim të përgjithshëm, marrë nga website që Shqipëria citohet jo pak herë, ai “NomadDigital List”, ka disa elemente që duhen marrë në konsideratë:

Internet 4/5 — Shpejtësi me çmime të ulëta, Wi-Fi i mirë në kafene, si dhe mundësi për WiFi publike falas.

Kafenetë dhe hapësirat e bashkëpunimit (zyra të përbashkëta) 3/5 — Qytetet e mëdha kanë shumë kafene të përshtatshme për punë dhe ka disa zinxhirë lokalë (Mon Cheri dhe Mulliri Vjetër). Megjithatë, shumë nuk pranojnë karta krediti. Në Shqipëri ka rreth një duzinë hapësira zyre të përbashkëta, ku merr me qira tavolinën.

Çmimet 4/5 — Një nga destinacionet më buxhetore ku nomadët dixhitalë, kryesisht amerikanë, kanë vlerësuar.

Gjuha 4.5/5 – Pothuajse të gjithë flasin anglisht (dhe madje edhe një gjuhë të tretë, si greqishtja, italishtja ose gjermanishtja)

Komoditeti 1.5/5 – Jo shumë i përshtatshëm për nomadët dixhitalë, për fat të keq. Kartat e kreditit nuk pranohen në shumicën e vendeve dhe transporti ndërqytetës nuk është në nivelet e duhura.

Atmosfera 3/5 — Vendasit miqësorë dhe mikpritës dhe disa atraksione turistike (duke përfshirë 4 vende të UNESCO-s). Tirana dhe qytetet e tjera të mëdha kanë disa probleme urbanizimi (ndotja e ajrit, pluhuri, trotuaret e pabarabarta).

Siguria 4/5 — Pavarësisht disa stereotipeve negative, nuk ka rreziqe në Shqipëri.

Për Grant Van Cleve, investitori amerikan, i cili jeton prej thuajse dy dekadash në vendin tonë, vitet e fundit është rritur numrit i të huajve që erdhën si “nomadë dixhitalë”, të cilët kërkonin të largoheshin nga situatat më të rrepta të Covid në vendin e tyre.

“Ata erdhën për lirinë shëndetësore, por donin të ktheheshin për stilin e jetesës (ushqim, diell, argëtim, mikpritje) me një kosto relativisht të ulët. Unë dhe gruaja ime u emocionuam që u kthyem dhe u kënaqëm duke parë kaq shumë të tjerë që zbulonin vendin që donim”, – thotë ai për “Monitor”.

I pyetur nëse ka problematika në shëndetësi apo fusha të tjera që e bëjnë më pak konkurrues vendin tonë se sa vendet e tjera për nomadët dixhitalë, Grant thotë se, duhet të jemi realistë për punën që duhet bërë ende në fushën e shëndetësisë dhe arsimit. “Njerëzit mund ta dinë se ushqimi dhe klima, bukuria natyrore dhe njerëzit miqësorë janë të mrekullueshëm, dhe rrugët, interneti po përmirësohen”, – thotë ai.

Sipas Grant, me rritjen e bizneseve inovative, hapen edhe mundësi për tërheqjen e të huajve në këtë hapësirë, të quajtur ndryshe “nomadët dixhitalë”. Krijuesit shqiptarë, nënvizon ai, do të duhet të fokusohen në forma biznesi që mund të lidhen me kulturën e nomadëve dixhitalë.

Nga ana tjetër, Tomi Kallanxhi, sipërmarrës dhe ekspert teknologjie, thotë se, Shqipëria ka shumë për të ofruar për të rinjtë kryesisht që tërhiqen të jenë nomadë dixhitalë këtu. Dhe një ndër elementët më të fortë në një përballje rajonale, është kostoja më e ulët e jetesës këtu.

Nomadët në Shqipëri, ka ende gjëra për të rregulluar?

Qeveria shqiptare po përpiqet ta pozicionojë vendin si një qendër për nomadët dixhitalë, por realiteti është se pengesat logjistike dhe administrative e bëjnë këtë shumë më të ndërlikuar. Axhenda Dixhitale e Shqipërisë parashtron një plan veprimi për 2022-2026, i cili është miratuar nga qeveria. Një nga pikat në të lidhet me nomadët dixhitalë, individë që punojnë në distancë në internet dhe jetojnë në një vend për një kohë të shkurtër, zakonisht deri në dy vjet.

“Zgjerimi i rrjetit dixhital dhe fizik dhe fuqizimi i bizneseve është përparësi në ditët tona për vendin tonë, sepse sipërmarrësit, pronarët e bizneseve dhe profesionistët e pavarur nga e gjithë bota kanë shumë për të ofruar, dhe ne shpresojmë të thjeshtojmë procesin e bashkimit me e-rezidencën. (e-rezidenca), do të nxisim më shumë prej tyre që të na zgjedhin ne për të ndihmuar në rritjen e kompanive të tyre”, thuhet në strategji.

Më tej, thuhet se, projekti i rezidencës mund të jetë një hap i rëndësishëm për tërheqjen e nomadëve dixhitalë dhe mund të lehtësohet nëpërmjet aplikimeve për viza online, lëshimit të vizave online, sistemeve të transportit, qendrës dixhitale, internetit me shpejtësi të lartë dhe përhapjes së afërt të 5G.

Në fakt, në vitin 2021, qeveria zbatoi një ligj që do ta bënte më të lehtë qëndrimin e nomadëve dixhitalë, pensionistëve dhe banorëve të tjerë në afatshkurtër. Ky ligj parashikon lehtësimin e procesit me lëshimin e vizave online dhe një aplikim të vetëm për leje qëndrimi. Megjithatë, në praktikë, situata mbetet komplekse. Mjafton t’u referohemi rregullave për tatimin. Kushdo që banon në Shqipëri dhe punon brenda ose jashtë vendit është i detyruar të paguajë tatimin në vend. Procesi për ta bërë këtë është tepër kompleks dhe përfshin shkuarjen në Qendrën Kombëtare të Biznesit (ku flasin shqip), pagimin e një tarife, regjistrimin dhe më pas kalimin në një proces fiskalizimi. Është gjithashtu e nevojshme krijimi i një llogarie bankare lokale në një bankë, ku të gjitha paratë e ardhura nga puna, qoftë edhe jashtë vendit, duhet të depozitohen.Alice Tayler, gazetare freelance në Shqipëri, thotë se, çështja është se bankat vendase nuk do të hapin llogari bankare për joshqiptarët pa leje qëndrimi. Megjithatë, për të marrë një leje qëndrimi, duhet të tregohen edhe dëshmi për të pasur një llogari bankare shqiptare.

Për më tepër, shumë të huaj që vijnë sipas saj, veçanërisht ata për afatshkurtër, nuk duan të hapin llogari bankare lokale dhe të depozitojnë të ardhurat e tyre atje. “Shumë prej tyre kanë llogari në internet me banka që ofrojnë tarifa të favorshme për tërheqje dhe transferime, të tilla si Wise dhe Revolut. Të tjerët nuk duan të humbasin para në konvertimet, tarifat dhe kostot e llogarisë që lidhen të gjitha me bankat shqiptare”, -thotë znj. Tayler.

Në vijim të bisedës, ajo thotë se, për sa i përket lëshimit të faturave, sistemi e-Albania pa pagesë nuk pranon fatura të huaja. Prandaj, kushdo me klientë të huaj, joshqiptarë, duhet të paguajë rreth 5000 lekë për softuer special për të kryer detyrën.

“Vetë e-Albania është kryesisht e padisponueshme për të huajt, pasi ata nuk kanë një pasaportë shqiptare, apo numër ID për t’u identifikuar. Qindra tavolina shërbimi në institucionet kryesore janë mbyllur në një përpjekje për të dixhitalizuar Shqipërinë, duke lënë të bllokuar shumë të huaj. Për më tepër, banorët duhet të deklarojnë një vend pune, i cili në shumicën e rasteve do të ishte banesa e tyre me qira.

Çështja është se nëse jepet me qira, për këtë duhet të paguajnë një taksë shtesë, mbi taksat vjetore të bashkisë për pastrimin dhe sigurimet shoqërore. I gjithë ky proces zgjat disa javë dhe, për shumicën e banorëve për një qëndrim të shkurtër, kërkon punësimin e një ekonomisti shqiptar për t’i udhëhequr gjatë procesit dhe për t’i përkthyer”, – nënvizon znj. Tayler.

Për sa i përket aplikimit për qëndrim, ajo thotë se, ndërkohë që procesi kryhet pjesërisht online, ende kërkon të paktën një aplikim në Departamentin e Imigracionit, ku pak nga stafi flet anglisht ose ndonjë gjuhë tjetër. Në fakt, të huajt e ndryshëm të ardhur në vend raportojnë se kërkesat mund të ndryshojnë shpesh, në varësi të asaj se kush punon atje atë ditë dhe kërkohen dokumente që nuk ekzistojnë në vende të tjera (për shembull, certifikata familjare. Një çështje tjetër e theksuar është se shumë të cilëve u janë lëshuar lejet e qëndrimit të përkohshëm në pritje të dokumentit të finalizuar, thanë se u ka skaduar afati prej kohësh. Ata nuk kanë marrë ende ndonjë përditësim. Jamie True, shtetase amerikane që jeton në Shqipëri, tha: “Duket se kemi rënë në të çarat e emigracionit, për shkak të sistemit të ri e-Albania, pavarësisht nga ky fakt, ne të gjithë aplikuam muaj para se ai të bëhej i përdorshëm nga të gjithë”.

“Askush prej nesh nuk ka pasur një email për të bërë gjurmët e gishtërinjve dhe fotot tona, konsulentët që paguajmë vazhdojnë të na thonë të presim. Por ne duam të udhëtojmë jashtë Shqipërisë në gusht, por nuk mundemi sepse mendojmë se do të futemi në probleme kur të kthehemi”, shpjegoi ajo.

Lidhja me pasuritë e paluajtshme

E ardhmja e pasurive të paluajtshme përbëhet nga kompani dhe agjentë që ndershmërinë dhe transparencën e kanë parim thelbësor në biznesin e tyre. Për të kuptuar se si rritja e nomadëve dixhitalë ndikon në tregun e pasurive të paluajtshme rezidenciale, duhet t’ia nisim që në fillim të procesit – si reklamohet dhe jepet me qira një pronë. Nomadët dixhitalë që kërkojnë të zhvendosen në një qytet, ose vend të ri, priren të marrin me qira shtëpinë e tyre të përkohshme të ardhshme nga jashtë, pa i parë fizikisht.

Transparenca në mënyrën se si ndërmjetësit reklamojnë pronat, ofron avantazh konkurrues ndaj atyre që përdorin imazhe të përmirësuara, ose fotografi të ndriçuara. Ky grup konsumatorësh të rinj po kërkon që industria e pasurive të paluajtshme të ecë në drejtimin e duhur: që përfshin turne me video, dëshmi, vlerësime.

Një tjetër ndikim i rëndësishëm i nomadëve dixhitalë në industrinë e pasurive të paluajtshme rezidenciale është nevoja që pronarët dhe agjentët e qiradhënies të përdorin teknologjinë për të lehtësuar procesin e qiradhënies.

Covid-19 nuk do të mbetet kërcënim vdekjeprurës përgjithmonë, por adoptimi i shpejtë i teknologjive të reja të nxitura nga pandemia hap mundësi të reja. I pyetur për “Monitor”, Dritan Caka, drejtues i agjencisë imobiliare DEV INF Real Estate parashikon se, rritja e nomadëve dixhitalë do të rrisë tregun e mundshëm për qiratë afatshkurtra.

Nomad List, Shqipëria 3/5 yje

Duke pasur parasysh të mirat dhe të këqijat, Shqipëria fiton 3 nga 5 yje si një destinacion për nomadët dixhitalë. Shqipëria ka një vend të fortë në artikujt tipikë të listave si ’10 vendet më të lira për t’u vizituar në Europë’ dhe nuk është çudi pse. Në varësi të zgjuarsisë suaj, mund të shpenzoni deri në 500 dollarë në muaj. Duke folur për udhëtime… Shqipëria kufizohet me katër vende dhe territore — Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Greqia — dhe ka tragete për në Itali.

Nëse po planifikoni të jeni një nomad dixhital në Ballkan, do të jeni në vendin e duhur, ndërsa jetoni në Shqipëri. Ka një shumëllojshmëri të shijshme ushqimesh, duke përfshirë ndikime nga kuzhinat italiane, greke dhe europiane. Jo shumë turistë — Shqipëria është ende një perlë e fshehur në Europë. Plazhe me rërë dhe ujë të kristaltë — Nëse po kërkoni të bëni të gjithë pushimin pranë detit, të pini një pina colada dhe të punoni në laptop, Shqipëria e Jugut duhet të jetë patjetër në itinerarin tuaj.

Të këqijat

Ndërprerjet e energjisë – Jo aq keq sa në Nepal, për shembull, por kjo mund të jetë e bezdisshme për njerëzit që duhet të jenë të lidhur gjatë gjithë kohës (d.m.th. takime me video). Energjia elektrike zakonisht ndërpritet për maksimumi 10 deri në 20 minuta, dhe zakonisht është në mëngjes.

Çështjet e infrastrukturës — Nuk ka orare të përditësuara të autobusëve askund (përfshirë stacionin e autobusëve, për ironi), mungojnë linjat direkte dhe biletat nuk mund të blihen paraprakisht.

Kartat e kreditit nuk pranohen gjerësisht — 80% e vendeve (d.m.th. kafene, restorante, dyqane të vogla) nuk pranonin karta krediti.

Projekti

Në një dokument të miratuar nga qeveria, siç është strategjia ndërsektoriale “Axhenda dixhitale e Shqipërisë” dhe të planit të veprimit 2022 – 2026 bie në sy pikërisht edhe një pikë që lidhet me nomadët dixhitalë.

“Zgjerimi i rrjetit dixhital dhe fizik dhe fuqizimi i bizneseve është përparësi në ditët e sotme për vendin tonë, sepse sipërmarrësit, pronarët e bizneseve dhe profesionistët e pavarur nga e gjithë bota kanë shumë për të ofruar dhe ne shpresojmë që thjeshtëzimi i procesit për t’u bashkuar me rezidencën elektronike (e-rezidenca) do të inkurajojë më shumë prej tyre që të na zgjedhin ne për të ndihmuar në rritjen e kompanive të tyre”, – thuhet në strategji.

I njëjti dokument nënvizon se projekti i rezidencës mund të jetë një hap i rëndësishëm për tërheqjen e nomadëve dixhitalë në vendin tonë, bashkë me shumë mundësi të tjera që ofron si aplikimi në internet për viza, viza e paguar dhe e lëshuar online, platforma e-albania, faqe web-i për turizmin, sistemi i transportit, qendrat dixhitale dhe hapësirat e bashkëpunimit, lidhja dhe shpejtësia e internetit në telefon, kostoja telefonike, prania e mediave sociale, 5G që vjen së shpejti etj.

“Nomadi dixhital ka lirinë për të zgjedhur stilin e jetesës dhe vendndodhjen e tij. Interneti na ka ofruar një mënyrë për t’i siguruar shërbimet online dhe të jemi të pavarur nga vendndodhja. Krijimi i një kompanie si një nomad dixhital është një fillim mjaft sfidues. Rastet e përdorimit në vende të ndryshme tregojnë se nomadët dixhitalë shpesh preferojnë vendbanime jashtë zonave urbane. Në këto raste, një nga çështjet më të mëdha që ata përballen është lidhja me internetin, duke qenë se kërkojnë internet të shpejtë e të besueshëm për të drejtuar bizneset.

Një problem tjetër për ta është mundësimi i shërbimeve të besueshme të kujdesit shëndetësor. Thelbi është përdorimi i zgjidhjeve remote të kujdesit shëndetësor (në të cilën BE po fokusohet shumë)”, – nënvizon strategjia./monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *